Një britanik është goditur për vdekje me thikë në Portugali, kjo pasi mori pjesë në një lojë online. Sky News raporton se trupi i pajetë i 36-vjeçarit u gjet në mes të një pylli pranë qytetit Pedrogao Grande.
Për ngjarjen, po merren në pyetje 3 persona. Siç shkruajnë mediat e huaja, britaniku ishte pjesë e një sfide online e cila besohet se ka lidhje me një numër të lartë vdekjesh në botë.
Mediat lokale thonë se kishte një mosmarrëveshje gjatë lojës që përfundoi me vdekje. 3 personat që po merren në pyetje në komisariat kanë qenë ata që kanë lajmëruar policinë për rastin.
Njëri prej tyre, 26 vjeç, dyshohet si autor i krimit, ndërsa hetimet vijojnë. Dyshohet se të rinjtë kishin organizuar një festë të Dielën e më pas shkuan në mes të pyllit për të vijuar me lojën.
Bëhet fjalë për lojën e bujshme “Balena Blu” e cila për herë të parë u shfaq në vitin 2016, e më tej mediat më prestigjioze bënë artikuj të shumtë duke këshilluar prindërit t’i mbanin fëmijët larg prej kësaj loje.
Ajo synon zakonisht adoleshentët të cilët bëhen pjesë e një grupi ku zhvillohen sfida që bëhen përherë e më të frikshme. Në shumë raste, loja i ka çuar përdoruesit deri në vetëvrasje. Në secilën fazë të lojës, “admini” i grupit u dërgon mesazhe.
Loja është krijuar nga një rus i quajtur Philipp Budeikin, 21 vjeç në atë kohë, i cili e ka pranuar se ka çuar drejt vetëvrasjes të paktën 16 vajza adoleshente. Budeikin u dënua me burg në Korrik të 2017-ës.
Në 2019-ën, BBC publikoi një artikull shterrues sa i përket të vërtetës mbi këtë lojë. (Lexo këtu)