Ndërron jetë ish-Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano

Shuhet në moshën 98-vjeçare ish-Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano. Ai ndërroi jetë në një spital në Romë, shkruajnë mediat italiane, pasi gjendja e tij shëndetësore kohët e fundit ishte rënduar.

Napolitano shërbeu dy herë si Presidenti i Italisë. I lindur në Napoli më 29 Qershor 1925, Napolitano u bë Presidenti i 11 i Republikës së Italisë nga 2006-a deri në vitin 2015. Ai është i pari kryetar shteti i zgjedhur edhe për një mandat të dytë në vitin 2013. Po ashtu, Napolitano njihet si Presidenti i parë post-komunist në Itali.

Ai ka qenë udhëheqësi i Partisë Komuniste Italiane, e cila në vitin 1991 u mori emrin Partia Demokratike e të Majtës. Në vitet 1996-1998, ai shërbeu si ministër i Brendshëm në qeverinë e Romano Prodit.

Napolitano ishte diplomuar për drejtësi në Universitetin e Napolit në vitin 1947. Fillimisht u zgjodh në Dhomën e Deputetëve në vitin 1953 dhe vijoi të përfaqësonte zonën e tij të lindjes, Napolin, pa ndërprerje deri në vitin 1996.

Si pjesë e karrierës së gjatë të tij politike, Napolitano ka qenë edhe anëtar i Parlamentit Europian, por edhe Kryetar i Dhomës së Deputetëve në Itali.

Dominimi i tij në skenën politike në Itali, e veçanërisht roli kyç në krijimin e qeverisë emergjente të udhëhequr nga Mario Monti në mes të krizës në vitin 2011, i dha atij pseudonimin “Mbreti George”.

Napolitano kryesonte rregullisht sondazhet e politikanëve të njohur të Italisë. Në vitin 2005, ai u emërua senator i përjetshëm nga Presidenti i atëhershëm i Republikës, Carlo Azgelio Ciampi.

Napolitano ishte një mik i vjetër i shqiptarëve. Vizita e fundit e tij në Shqipëri daton më 5 Mars të vitit 2014. Ai takoi asokohe ish-Presidentin e ndjerë Bujar Nishani (Lexo më shumë) dhe kryeministrin Edi Rama (Lexo më shumë) ku nuk ngurroi të shprehte mbështetjen për Shqipërinë./tvklan.al

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share