“Në tryezën e KS janë ulur edhe Lukashenko me Gedafin”
Fakti se Gazmend Bardhi nuk e njeh për kryetar të Partisë Demokratike nuk përbën asnjë problem për Berishën, jo vetëm për faktin se dhe ai se njeh si Sekretar i Përgjithshëm pasi ka emëruar Flamur Nokën, por pasi për të i rëndësishëm është procesi i nisur i bashkimit.
“Nuk ka rëndësi qëndrimi ndaj kryetarit sepse statuti përcakton dhe fraksion.”
Berisha në daljen e radhës të së premtes përshëndet atë pjesë të deklaratës së djeshme të Ambasadës Amerikane, ku thuhet se nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive.
“Është pikërisht kjo ajo që unë përshëndes.”
Por kur pyetet për rikonfirmin e qëndrimit të tyre, sa i takon të shpallurve “non grata”, Berisha rrëfen se ashtu si Martin Luteri, idhulli i tij, ka me vete të vërtetën.
“Qëndron aq besnik tek vetja e tij, saqë frymëzon çdo njeri që lufton për të vërtetën.”
Por në këtë pikë ndalet gjatë tek Rama, që sipas tij është i pari në histori që ulet në tryezën e Këshillit të Sigurimit, ndërsa është nën hetim nga SHBA duke lajmëruar me siguri se brenda ditës së sotme, McGonigal do të pranojë fajësinë për korruptimin nga Edi Rama.
“Do të thotë që Edi Rama është fajtor.”
Me Ramën u mor gjatë duke e krahasur me një sërë diktatorësh që janë ulur përpara tij në tryezën e Këshillit të Sigurimit.
“Edi Rama bëhet i dyti pas Lukashenkos që shkon në asamble bashkë me djalin. Diktatorët i ngjajnë njëri-tjetrit.”
Kur pyetet për thirrjen e të birit nga SPAK për dosjen e Gërdecit, siguron se asnjë hetim s’do të mund të gjejë implikimin e tij.
“Edhe 100 vite po të hetojnë, do gjejnë zero lidhje aty.”
Berisha u ndal sërish dhe tek hetimet për inceneratorin e Tiranës dhe Erion Veliaj, pronarin e vërtetë që sipas tij, ka ky koncesion.
Tv Klan