Liderja e ekstremit të djathtë kërkoi që goditja e trafikantëve të qenieve njerëzore të kthehet në një luftë globale
Çështja e emigracionit u adresua nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni tek liderët në Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së, teksa kërkoi goditjen e trafikantëve të qenieve njerëzore.
Kjo është hera e parë që Meloni flet në sesionin e 78-të të trupit ndërkombëtar prej 193 anëtarësh në Nju Jork që kur mori detyrën si kryeministre. Mes të tjerash ajo kërkoi nga OKB që të refuzojë çdo qasje hipokrite ndaj emigracionit.
“Pasojat e konfliktit në Ukrainë është një efekt domino, por kryesisht prek kombet e jugut global. Është një luftë e zhvilluar jo vetëm kundër Ukrainës, por kundër kombeve më të varfra. Vëmendja e Italisë është veçanërisht e përqendruar në Afrikë, ku kombet tashmë të rrethuar nga periudha të gjata thatësire dhe nga efektet e ndryshimeve klimatike tani po përballen me një situatë të ndërlikuar nga pasiguria ushqimore, duke i bërë ata më të prekshëm ndaj paqëndrueshmërisë dhe pre më të lehtë për terrorizmin dhe fundamentalizmin.”
Liderja e ekstremit të djathtë kërkoi sërish ndihmë ndërkombëtare për krizën e migracionit në Itali dhe ritheksoi se nuk do të lejojë që vendi i saj të bëhet “kampi i refugjatëve të Evropës”.
“Rrjetet kriminale po depërtojnë, duke përfituar nga dëshpërimi për të futur me lehtësi miliarda në xhep. Ata janë trafikantët e qenieve njerëzore që organizojnë tregtinë e emigracionit të paligjshëm masiv. Ata i bëjnë të paguajnë mijëra dollarë për udhëtime në Evropë që i shesin me broshura, sikur të ishin agjenci udhëtimi. Shpesh, ato udhëtime mund të çojnë në vdekje, duke krijuar varre masive në Detin Mesdhe.”
Nga OKB kryeministrja e Italisë kërkoi nga vendet që të punojnë së bashku pasi goditja e grupeve kriminale po kthehet në një luftë globale. Qeveria italiane, duke luftuar me një rritje të emigrantëve që vijnë, miratoi masa për të zgjatur kohën që ata mund të ndalohen dhe për të siguruar që shumë njerëz që nuk kanë të drejtë ligjore për të qëndruar, të riatdhesohen.
Klan News