Qeveria kundër zhvillimit ekonomik, penalizon bizneset me tatim solidar dhe ngrin çmimet e ulura

Përmes një konference për media kanë reaguar nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në lidhje me Sjelljen e Ligjit për tatimin solidar dhe Vendimin për ngrirjen e çmimeve të ulura.

“OEMVP si institucion i cili ka për qëllim bazë mbrojtjen e interesave të bizneseve që nga paralajmërimi i parë i institucioneve dhe qeverisë në fund të vitit 2022 e deri sot, pa ndalur ka
lobuar dhe punuar kundër propozim Ligjit për tatimin solidar, duke theksuar që ky ligj ishte jo parimor duke mos u bazuar në ndonjë analizë përkatëse dhe duke apeluar tek të gjitha institucionet kompetente që të reflektojnë dhe të gjejnë mënyra alternative për zbutjen e pasojave të krizës.

Sidoqoftë edhe përkundrejt gjitha reagimeve të OEMVP, Kuvendi miratoi ligjin në procedurë të përshpejtuar, duke dëshmuar edhe njëherë që siguria juridike e kompanive në Republikën e
Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk është e garantuar dhe që kompanitë e suksesshme të cilët punojnë në mënyrë të rregullt, kontribuojnë në zhvillim ekonomik të vendit dhe që njëherit janë tatimpaguesit më të mëdhenj do të dënohen për suksesin e tyre dhe pasojat e keq menaxhimit të krizës nga ana e institucioneve do të bien në barrë të tyre.

Me këtë ligj retroaktiv, kompanitë vendore jo vetëm që do të dënohen me shuma marramendëse dhe nuk do të mund të realizojnë investimet e planifikuara, por të njëjtët do të destimulohen që të punojnë me fitim gjatë viteve në vijim, gjë e cila mund të stimulojë edhe më tej ekonominë joformale. Gjithashtu do të paraqet një barë të madhe për kompanitë sepse ato mjete të fituara më herët, kompanitë veç më i kanë investuar që nënkupton se ky ligj do i vë në pozitë të keqe vitet vijuese kompanitë e përfshira në ligj.

Apelojmë deri tek Presidenti i RMV-së që të ketë parasysh Kërkesën e OEMVP të dërguar më herët për të mos e nënshkruar dekretin për shpalljen e Ligjit për tatimin solidar.

Vendim tjetër mjaft i dëmshëm për kompanitë e RMV është Vendimi për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore për së paku 10% dhe ngrirjen e çmimeve të ulura, e cila po ndërmerret disa herë radhazi ngjashëm brenda 2 viteve. Ekonomia e tregut të lirë është vënë në pikëpyetje me ndërhyrjet e shumta nga ana e Qeverisë, kështu duke stimuluar ekonominë gri ndërkaq, synimet e vendit tonë janë eliminimi i saj, por edhe i nxitjes së konkurrencës së lirë.

Gjatë ndërmarrjes së vendimeve të tilla atëherë janë të nevojshme edhe eliminimi i përkohshëm i tatimeve apo tarifave doganore me qëllim të evitimit të mungesës së atyre produkteve në treg por edhe të mbrohen prodhuesit vendor. Gjatë uljes së çmimeve të këtyre produkteve rrezikohet edhe cilësia e produkteve nga vet prodhuesit të cilët do duhet të punojnë me humbje.

Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimiore apelon deri tek gjitha institucionet në vend që sjellja e vendimeve dhe ligjeve të tilla nuk duhet të bëhet pa analiza përkatëse dhe të detajuara të tregut, sepse pasojat e të njëjtës do të jenë shumë të mëdha”, thonë nga  Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.

 

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share