“Bashkimi Demokratik për Integrim po ndjek me vëmendje shqetësimin e madh në rradhët e VMRO DPMNE-së dhe ndasitë e thella që po shfaqen në betejēn midis integrimit dhe izolimit.
Kjo betejë e brendshme midis forcave në VMRO-së që duan integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe atyre që preferojnë izolimin po zhvillohet në kurriz të vendit dhe qytetarëve, por edhe duke keqpërdorur institucionet e vendit, proceset si dhe partitë politike dhe liderët partiak.
Në intervistën e tij, Ali Ahmeti ka folur për procesin e negociatave të Përzhinos dhe takimeve me Zaev dhe Gruevski mbi temën e tejkalimit të situatës nëpërmjet të procesit të së vërtetës dhe pajtimit.
Në këto takime të liderëve në klubin e deputetëve, që janë zhvilluar edhe në dijeni të komunitetit ndërkombëtar dhe të udhëheqësive partiake, u formua grup pune i përbërë nga Oliver Spasovski, Nikolla Todorov dhe Artan Grubi.
Ndërsa ndryshimet në Kodin Penal fillimisht u aktualizuan nga VMRO para ndryshimeve kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës.
Më pas, Kodi penal ishte gjithashtu kërkesë edhe e kryetarit të ri të VMRO DPMNE Hristijan Mickoski në takimet e liderëve dhe ato bilaterale, por pas distancimit të tij nga ish udhëheqësia e VMRO DPMNE-së, edhe përkundër pajtimit të LSDM-së, ai u tërhoq nga kjo kërkesë.
As shteti, as qytetarët, as mediat, as amerikanët dhe europianët, as LSDM e BDI nuk janë armiq të VMRO DPMNE-së, por të gjitha forcat progresive në vend po ia shtrijnë dorën VMRO-së që të heq dorë nga politikat izoluese dhe të bëhet pjesë e Maqedonisë europiane” – thuhet në kumtesën e BDI-së. /KlanMacedonia/