Erdogan: Nagorno-Karabaku ështs pjesë e Azerbajxhanit dhe imponimi i një statusi tjetër është i papranueshëm
Të paktën 27 persona janë vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur në një operacion ushtarak nga Azerbajxhani në rajonin e Nagorno-Karabakut.
Videoja e dëshmitarëve okularë tregojnë automjete të shkatërruara në Stepanakert, në Nagorno-Karabakh të kontrolluar nga armenët, pas sulmeve. Azerbajxhani dërgoi trupa, duke rritur kërcënimin e një lufte të re me fqinjin e tij Armeninë.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se pajisjet ushtarake që i përkisnin forcave të armatosura armene ishin “neutralizuar”, duke përfshirë automjete ushtarake, artileri dhe instalime raketash kundërajrore. Presidenca azere tha se ishte e gatshme të takohej me Komunitetin e Karabakut, por grupet e armatosura ilegale armene duhet të ngrenë flamurin e bardhë pasi në të kundërt masat antiterroriste do të vazhdojnë.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Nagorno-Karabaku është pjesë e territorit sovran të Azerbajxhanit dhe imponimi i një statusi tjetër për rajonin separatist është i papranueshëm. Ndërkaq Rusia ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve në Nagorno-Karabakh. Azerbajxhani dhe Armenia fillimisht hynë në luftë në fillim të viteve 1990 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Më pas, në vitin 2020, Azerbajxhani rimori zonat në dhe rreth Nagorno-Karabakh-ut, ndërsa më pas ra dakord për një armëpushim të monitoruar nga paqeruajtësit rusë.
Klan News