“Kukësi nuk e meritonte Safet Gjicin”, Berisha: Ju bëj thirrje të shënojmë një kthesë të madhe me Emri Vatën

Teksa zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e ri të Bashkisë Kukës po afrohen, kryedemokrati Sali Berisha ju ka bërë thirrje kuksianëve që të votojnë kandidatin e “Bashkë Fitojmë”, Emri Vatën.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se vendi ka nevojë jetike për një kthesë teksa ka shtuar se kthesa nga Kukësi do të jetë mesazhi më i fuqishëm për të gjithë shqiptarët.

Në takimin me biznesmenë në Kukës, Berisha tha se kjo bashki nuk e meritonte ish-kryebashkiakun e saj të arrestuar pas videoskandalit, Safet Gjicin, teksa ka thënë se ai ishte një kopje e shëmtuar e kryeministrit Edi Rama.

Sali Berisha: Për të gjithë këto ju bëj thirrje të shënojmë një kthesë të madhe me Emri Vatën në Kukës.Vendi ka nevojë jetike për një kthesë. Kthesa nga Kukësi është mesazhi më i fuqishëm që banorët e këtij rrethi u dërgojnë mbarë shqiptarëve. Le të jetë Kukësi stacioni ku ndalon rrokullisja e madhe e këtij vendi, ku ndalon shpërbërja e Shqipërisë, largimi masiv i shqiptarëve. Me këtë rast dua të ftoj të gjithë biznesmenët e Kukësit këto ditë të japin të gjithë ndihmesën e tyre për fitoren e Emri Vatës. Ftoj të gjithë lumjanët, kuksianët kudo që ndodhen, në Tiranë, në Shkodër, kudo, Durrës, jashtë vendit, të vijnë dhe të votojnë në Kukës për të firmosur ndryshimin. Nuk e meritonte kurrë Kukësi, Safet Gjicin. Gjici ishte një kopje e shëmtuar e Edi Ramës. Nuk e njoh këtë tjetrin, por nuk meriton Kukësi përfaqësues të Edi Ramës dhe të Safet Gjicit. Ndaj dhe ju ftoj të angazhohemi për një kthesë nga Kukësi, që do jetë një kthesë e madhe për gjithë Shqipërinë.

Zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit do të zhvillohen këtë të dielë, më 24 Shtator. Socialistët në këtë përballje elektorale do të garojnë me Albert Halilajn ndërsa dyshja Berisha-Meta nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë” me kandidatin Emri Vata.

Zgjedhjet e pjesshme në Kukës do të rimbahen vetëm për kreun e Bashkise dhe jo për Këshillin Bashkiak, pas arrestimit të Safet Gjicit, i cili u përfshi në zyrën e tij në një video-skandal erotik me shtetasen Alma Kaçi./tvklan.al

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share