Brigjet joniane po gjallërojnë nga pushuesit edhe këtë mes Shtatori në Shqipëri. Të shumtë janë ata që kanë zgjedhur të shijojnë qetësinë e këtij muaji në plazhet e jugut. Kjo ishte pamja e plazheve të Palasës dhe Dhërmiut këtë të diel.
“Ky muaj është i mrekullueshëm”.
“Mrekullia vetë, Dhërmiu është perla e Shqipërisë, e çdo herë më duket më mirë.”
“Jemi nga Prishtina, ndihemi të privilegjuar që përmes televizionit tuaj të shprehim ndjenjat, kenaqësitë që kalojmë me vite të tëra në Dhërmiun e bukur.”
Moti i mirë ka favorizuar rritjen e prenotimeve në jug. Shqiptarët që jetojnë prej vitesh jashtë vendit thonë se kanë vendosur të mos i mbyllin pushimet pa ardhur disa ditë në Shqipëri.
“Kemi ardhur nga Anglia, Shtatori më i mirë, deti këtu nuk paguhet, është shumë-shumë i mirë.”
“Unë jam nga Durrësi, po kam vite që jetoj në Itali. Shqipëria ka ndryshuar, shpresoj të ndryshojë akoma më shumë, plazhi shumë i pastër, ndihem shumë mirë.”
Operatorët turistikë ndërsa përmendin një sezon të suksesshëm turistik veror, pohojnë se presin turistë deri në TETOR.
Fotina Nina, Operator Turistik Detar: Deri në fund të muajit është full, ka rezervime dhe tetori, deri diku nga 12,13, ka rezervime edhe në hoteleri, edhe në shërbime të tjera.
Pamela Dhimaj, Gazetare: Plazhet e jugut po vijojnë të presin ende pushues, edhe në këto ditë të muajit shtator, të ardhur kryesisht nga rrethet e Shqipërisë, po pa lënë mënjane edhe turistë të huaj.
Nga Janari deri në Muajin gusht rreth 7.2 milion të huaj kanë hyrë në Shqipëri, 27% më shumë sesa vjet./tvklan/