Ekstradohet në SHBA djali i El Chapo

33-vjeçari u arrestua në Janar të këtij viti

Ekstradohet në SHBA djali i bosit famëkeq të drogës ‘EL Chapo’. Ovidio Guzmán dyshohet se ka udhëhequr së bashku me të vëllanë kartelin e fuqishëm të drogës Sinaloa që themeloi babai i tij.

Ai akuzohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e një këngëtari që kishte refuzuar të performonte në dasmën e tij. 33-vjeçari u arrestua nga autoritetet meksikane në Janar të këtij viti pas një operacioni të policisë në shtetin verior të Sinaloa që çoi në 29 viktima dhe që atëherë ai ka qenë në qelinë e paraburgimit.

Ekstradimi i 33-vjeçarit vjen pas lirimit të gruas së El Chapos, Emma Coronel e cila u dënua me 3 vite burgim në vitin 2021, pasi u shpall fajtore për dhënie ndihme kartelit të Sinaloas. Nga zyrtarët e zbatimit të ligjit në SHBA, vlerësohet se është kontrabanduar më shumë se 1000 ton kokainë, marihuanë, metamfetamina dhe heroinë.

Karteli Sinaloa është një prej organizatave më të fuqishme të trafikut të narkotikëve në botë, drejtuesi i të cilit ishte “El Chapo”.

“El Chapo”, u arratis në mënyrë spektakolare nga burgu i Altiplanos më 11 Korrik 2015, përmes një tuneli prej një kilometër të gjatë. Në vitin 2017 u ekstradua në SHBA ku edhe vuan dënimin me burgim të përjetshëm.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share