LIDERI UDHËTON NË KRATOVË, EKIPI KAMPION NË SHTIP
Të dielën me fillim në ora 15:00 në program janë pesë ndeshje të javës së shtatë të sezonit vjeshtor të kampionatit në Ligën e parë të futbollit vendor. Lideri në tabelë Shkëndija është mysafire e Sileksit në Kratovë, Gostivari në Gjorçe, Struga udhëton në Shtip, ndërsa Voska Sport me Rabotniçkin në Maxhari
Lideri në renditjen e tabelës Shkëndija të dielën udhëton në Kratovë për tu përballuar me Sileksin, në një teren ku gjithmonë ka hasur në vështirësi. Po ekipi kësaj radhe është i përgatitur për çdo sfidë që e pret.
“Nëse duhet të fitojmë në Sileks, pa dyshim që duhet luftë. Kur e them shumë luftë, duhet të luftojmë për çdo top, për çdo aut dhe për çdo aksion që e ndërtojmë pa marr para sysh rrethanave si do të shkojnë atje, se ndonjëherë dinë të bëhen gjëra të këqija. Mirëpo besoj se mirë e kemi analizuar mirë skuadrën se e dimë se çka na pretë dhe do të futemi me një qind për qind dhe në fund të dalim me rezultat pozitiv” – tha Mevlan Adili.
Pas përfundimit të aventurës evropiane tashmë e gjithë vëmendja e Struga Trim Lum, është përqendruar në ndeshjet kampionale. Kështu që të dielën është mysafire e Bregallnicës në Shtip. Mesfushori Besmir Bojku thotë se ekipi tij ka analizuar kundërshtarin dhe shpreson në sukses të plotë
“ Sigurisht se presim ndeshje të vështirë duke ditur se Bregallnica ka bërë disa përforcime cilësore në këtë sezon Por ne kemi analizuar mire këto ditë me stafin teknik dhe shpresoj se do të kthehemi me tri pike nga Shtipi” – tha Besmir Bojku.
Gostivari kampionatin e ri e nuk e ka nisur ashtu siç ka pretenduar pasi nga gjashtë ndeshje ka vetëm një fitore dhe pesë disfata. Rezultatet jo të kënaqshme detyruan ekipin që pauzën dy javore të shfrytëzojnë për përgatitje shtesë në Mavrovë
“Ndeshja me Gjorçen është një lojë ku me të vërtet do të jetë një ndeshje e rëndë. Por shpresojmë pasi kemi qenë në përgatitje në Mavrovë për shtatë ditë, ndaj besoj se jemi përgatit maksimalisht për këtë ndeshje dhe nëse të gjithë futbollistët e japim maksimumin nga kjo ndeshje , në Gostivar do të kthehemi me tri pikë” – deklaroi Xhelil Abdulla.
Në dy përballjet tjera të kësaj jave Rabotniçki në arenën “Todor Proeski” në Shkup, pret ekipin e Voska Sport, ndërsa Tikveshi në Kavadar takohet me Vardarin. Të gjitha pesë ndeshjet fillojnë orën 15:00.
Java e VII-të, takohen:
Rabotniçki – Voska Sport
Bregallnica – Struga Trim Lum
Sileksi – Shkëndija
Makedonija Gj.P – Gostivari
Tikveshi – Vardari
FC Shkupi – AP Brera (luhet sot) /KlanMacedonia/