E vetmja gjetje konkrete e hetimeve për tunelin nëntokësor që u hap në gusht mes bodrumit të një ndërtese banimi dhe Gjykatës së Lartë në qendër të Podgoricës, është se nga depoja e gjykatës janë zhdukur 19 armë.
Identiteti i gjashtë personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në gërmimin e tunelit ende është duke u hetuar dhe mësohet se është gjetur furgoni që ata përdorën.
Zyrtarisht ende nuk ka asnjë të dyshuar.
Ekzistenca e tunelit u zbulua më 11 shtator dhe tri ditë më vonë, Prokuroria Themelore filloi seancat dëgjimore të personave që mund të kishin informacione për bastisjen e depos, e cila u arrit përmes tunelit të gërmuar.
Deri më tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë shkelje serioze të sigurisë.
Në afërsi të tunelit ndodhet selia e Qeverisë, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese dhe Bankës Qendrore të Malit të Zi.
Karakteristikat e tunelit
Tuneli nëntokësor është rreth 30 metra i gjatë dhe rreth një metër i gjerë dhe po aq i lartë. Ai lidh bodrumin e ndërtesës së banimit – në rrugën “Njegosheva” në qendër të Podgoricës – me depon e Gjykatës së Lartë, midis së cilës ndodhet një rrugë.
Muret e tunelit janë të veshura me dërrasa, për të parandaluar shembjen e dheut dhe gurit. Lidhur me dheun, Velko Vasileviq, ekspert gjyqësor në fushën e ndërtimit, tha se ai ishte i butë, gjë që e bëri më të lehtë gërmimin.
Fundi i tunelit çon në depon e bodrumit të Gjykatës së Lartë, muri i së cilës është thyer në vendin ku ndodhen raftet me dosje. Hapja është, gjithashtu, pranë dhomës ku sillen dhe ndalohen të pandehurit para se të hyjnë në sallën e gjyqit.
Çfarë thonë pronarët e apartamentit?
Apartamenti është dhënë me qira në fund të korrikut dhe tuneli është zbuluar më 11 shtator. Supozohet se ai është groposur për një muaj e gjysmë, me shumë gjasa gjatë muajit gusht, ndërkohë që pjesa më e madhe e punonjësve të Gjykatës së Lartë ishin në pushime.
Pronarët u morën në pyetje nga Policia e Podgoricës. Pronarja tha se nuk i njihte personat që e morën me qira banesën. Është konstatuar se ata kanë përdorur dokumente false.
Aktualisht, policia nuk dyshon se pronari është i lidhur me këtë rast.
Si u zbulua tuneli?
Të hënën, më 11 shtator, zyrtarët e gjykatës zbuluan se dikush qëndronte në depo në bazë të rasteve të kontrolluara.
U njoftua policia, e cila ka nisur hetimet. Pas largimit të policisë, oficerët filluan inventarizimin e gjësendeve, gjatë të cilit u gjet një hapje pas raftit me lidhëse.
Çfarë ka në depon e Gjykatës?
Depoja përmban 100.000 sende, materiale provuese nga procese të shumta penale, lëndë gjyqësore, nëntë tonë drogë, 400 armë, municione, eksploziv…
Menjëherë pas hapjes së tunelit, kryetari i këtij institucioni, Boris Saviq, tha se “pothuajse asgjë nuk mungon”.
Kryeministri Dritan Abazoviq tha se janë zhdukur disa gjëra , përfshirë armët, gjë që ende nuk është konfirmuar nga gjykata.
Pas hetimeve, Prokuroria Themelore bëri të ditur se ende nuk dihet se çfarë ka humbur.
Zhvendosja e përgjegjësisë
Abazoviq bëri të ditur se hapja e tunelit nuk mund të bëhej pa ndihmës brenda Gjykatës së Lartë – ç’gjë ata e hodhën poshtë.
Gjykata njoftoi se punonjësit nuk janë të trajnuar për t’u marrë me sigurinë e ndërtesave dhe nuk është në përshkrimin e tyre të punës.
Disa palë akuzuan Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Drejtorinë e Policisë se janë përgjegjëse kryesore për dështimet e tyre, e që rezultuan me hapjen e tunelit.
Policia tha se nuk ka qasje në depo dhe as nuk i siguron ambientet e Gjykatës së Lartë.
Përgjegjësia për sigurimin e objekteve i takon departamentit të sigurisë personale në kuadër të Administratës së Policisë.
Kush është përgjegjës?
Përgjegjësia specifike i takon MPB-së dhe udhëheqjes së Gjykatës së Lartë, tha për Radion Evropa e Lirë avokati nga Podgorica, Vesellin Radulloviq.
“Nëse shërbimet e sigurisë do të kishin bërë punën e tyre, do ta kishte të vështirë që dikush në qendër të qytetit, pranë institucioneve më të rëndësishme, të hapte një tunel 30 metra, pa informacion për vendndodhjen e depos. Atë informacion mund ta kishte dhënë dikush nga Gjykata e Lartë ose një person që e ka atë informacion”.
Radulloviq thekson se refuzimi i përgjegjësisë është praktikë në Mal të Zi.
“Përveç shkallës së lartë të papërgjegjshmërisë në këtë rast, kemi edhe pengim të hetimeve”, thotë avokati Radulloviq.
Vizita e kryeministrit rrezikoi rrjedhën e hetimeve?
Gjatë hetimeve nga ekspertët mjeko-ligjorë, Abazoviq, së bashku me ministrin e Drejtësisë dhe atë të Punëve të Brendshme, vizituan vendin e gërmimit të tunelit dhe më pas depon e Gjykatës së Lartë.
Në një moment në depo ndodheshin të paktën dhjetë persona dhe nga videot shihet se edhe të pranishmit preknin objekte.
Prokuroria Themelore ka paralajmëruar hetim mbi bazën e të cilit është bërë vizita, pasi nuk është miratuar nga ai institucion.
Pyetja është nëse gjatë vizitës ata mund të kontaminojnë vendin e hetimit dhe potencialisht të rrezikojnë gjurmët.
Sipas rregullores, ndalohet qëndrimi në atë zonë gjatë hetimeve dhe ka një procedurë të qartë për asgjësimin e celularëve.
Abazoviq ka folur për vizitën në depo, duke thënë se miratimin për vizitën e ka marrë nga kryetari i gjykatës, Boris Saviq. /REL