Pep Guardiola është trajneri që ka shpenzuar më shumë gjatë karrierës së tij në futboll. Katalanasi, përveç historisë që ka bërë te Mançester Siti ka qenë në stolat e Barcelonës, ku ka arritur suksese të mëdha, por edhe te Bajern Mynihu.
Sipas Tranfermarket, 52-vjeçari ka shpenzuar në total 2.4 miliardë euro, ndërsa ka fituar 37 trofe. Trajneri aktual i Romës, Jose Mourinho, nuk është larg sa i përket harxhimeve të kryera në klubet ku ai ka punuar për të bërë përforcimet e nevojshme.
Me portugezin si trajner, në total janë bërë 1.86 miliardë euro blerje, ndërsa ai ka ngritur 26 trofe. Në vend të tretë vjen trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, me 1.69 miliardë euro të shpenzuara e me 26 trofe në karrierë.
I katërti në radhë është trajneri i Juventusit Masimiliano Alegri, me 1.4 miliardë euro ndërsa ka festuar 13 trofe të fituar. Pas tij vjen tekniku i Atletikos Diego Simeone me 1.21 miliardë euro dhe 10 kupa.
Klan News