Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur operacionin antidrogë të zhvilluar në disa qytete të vendit. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka shpërndarë një foto me bilancin e këtij megaoperacioni.
Ndërsa në një postim tjetër, kryeministri falenderon Policinë e Shtetit, që sipas tij, por rrit dita-ditës forcën goditëse ndaj keqbërësve.
“Superoperacioni i Policisë së Shtetit u ka hedhur prangat gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe deri në orët e para të mëngjesit 233 shpërndarësve të drogës, të cilët kishin në shënjestër të veprimtarisë së tyre kriminale nxënësit e shkollave. Pas një hetimi të imtësishëm e mbledhjeje të provave në të gjitha qarqet e vendit janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve, ndërkohë që kjo është një tjetër provë e ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri.
Një duartrokitje e fortë për Policinë e Shtetit, e cila dita-ditës po rrit forcën goditëse ndaj keqbërësve të çdo lloji dhe po afirmon fuqinë e saj si garante e rendit, sigurisë e qetësisë publike në çdo komunitet”, tha Rama.