Ademi për parullat e tifozëve rumunë: Do të kërkojmë drejtësi në UEFA dhe CAS

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas ndërprerjes së ndeshjes mbrëmë si shkak i thirrjeve dhe parullave “Kosova është Serbi” nga tifozët rumunë.

Ademi tha se për këtë çështje do t’iu drejtohen organeve të UEFA-s dhe në CAS, teksa shtoi se FFK-ja mbetet e vendosur për të përmirësuar lojën dhe për të arritur suksese në nivel ndërkombëtar.

“Provokimi i rëndë nga tifozeria rumune shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes për një periudhë të gjatë. Ndeshja rifilloi me insistimin e gjyqtarit pas tërheqjes së pankartave diskriminuese e raciste ndaj vendit tonë, ndonëse thirrjet e kohëpaskohshme kundër futbollistëve dhe shtetit tonë vazhduan”.

“Këto sfida na forcojnë dhe nuk do të na pengojnë të ecim përpara. Ne, do të kërkojmë drejtësi dhe respektim të rregullave të “fair-play-it” në futboll përpara organeve të UEFA-s dhe në CAS.  Diskriminimi dhe huliganizmi nuk kanë vend në futbollin modern dhe ne jemi të vendosur të mbrojmë integritetin e lojës”, tha Ademi, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Ademi tha se episodi i krijuar nga tifozët rumunë ndikoi pashmangshëm tek ekipi kombëtar, teksa kritikoi edhe kartonin e kuq për sulmuesin Vedat Muriqi.

“Sidoqoftë kjo humbje, e ndikuar prej këtyre faktorëve nuk do të na zmbraps. Përkundrazi ajo të na bëjë më fortë e më të bashkuar. Kemi lojtarë përplot talent e entuziazëm për ta dhënë më të mirë e tyre për atdheun dhe pa dyshim se sukseset nuk do të vonojnë”, tha ai.

Kreu i FFK-së tha se janë krenarë me lojtarët e kombëtares, të cilët i quajti të artë e që nuk rreshtin së luftuari për fanellën e shtetit të Kosovës.

“Ndonëse në rastet kur mungojnë rezultatet kritikat ndaj tyre janë të ashpra e të pamatura nga një pjesë e opinionit. Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar e me një qëllim – për Kosovën tonë”, shkroi Ademi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share