Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij të punës në Bruksel ka zhvilluar takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në takim u diskutua për sfidat aktuale të sigurisë, si dhe për aktivitetet e NATO-s në drejtim të përshtatjes me realitetin e ri të sigurisë, përballjes me sfidat dhe forcimit të mbrojtjes dhe parandalimit.
Në fokusin e bisedës ishte situata aktuale në Ballkanin Perëndimor, si një rajon me interes strategjik për Aleancën.
“Koordinimi i ngushtë dhe aktivitetet e përbashkëta të NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor, si dhe përshpejtimi i integrimit europian dhe euroatlantik të vendeve të rajonit, janë mjete kyçe për konsolidimin e stabilitetit rajonal dhe mbylljen e vakumit për ndikimet e mundshme destabilizuese nga palët e treta”, theksoi Osmani.
Njëherazi, Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut, si aleate e besueshme, mbetet e përkushtuar në vendosmërinë e saj për të kontribuar në paqen globale, sigurinë kolektive dhe stabilitetin e rajonit. Në këtë drejtim, ai iu referua kontributit tonë në misionet dhe grupet luftarake të NATO-s, si dhe vendosmërinë për të ndarë 2% nga i tërë PBB për mbrojtjen.
Në takim u diskutua edhe për agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës, si dhe për mbështetjen për popullin ukrainas dhe në këtë kontekst u theksuan vendimet e rëndësishme nga Samiti i fundit i NATO-s në Vilnius, të cilat edhe një herë konfirmuan unitetin në Aleancë.