Putin dëshiron ushtarë të Koresë së Veriut në kufirin me Ukrainën

Vladimir Putini mund të dëshirojë që ushtarët e Koresë së Veriut të vendosen në kufirin e Rusisë me Ukrainën, ka thënë një ekspert.

Duke folur për Sky News, Sung-Yoon Lee, specialist për Korenë e Veriut, tregoi se çfarë do të shpresonte të përfitonte presidenti rus nga bisedimet e tij me Kim Jong Un-in.

“Putini kërkon nga Koreja e Veriut municione, predha artilerie antitank dhe ndoshta edhe fuqi punëtore – pra, ushtarë të Koresë së Veriut që veprojnë në rajonin kufitar midis Rusisë dhe Ukrainës”, tha ai.

I pyetur se çfarë e bazonte ai idenë se koreano-veriorët mund të shkonin në zonën e luftës, Lee tha: “Unë jam duke spekuluar, por kjo bazohet në disa fakte”.

“Ka mijëra punëtorë të Koresë së Veriut ende në Rusi, pavarësisht nga një rezolutë e sigurisë e OKB-së në dhjetor 2017 – që Rusia e nënshkroi – duke u bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së që të kthejnë me forcë në Korenë e Veriut të gjithë punëtorët që punojnë jashtë vendit”.

“Tani Rusia ka nevojë për më shumë fuqi punëtore për shkak të humbjeve dhe viktimave të mëdha që ka pësuar në këtë luftë”.

“Në Korenë e Veriut, qeveria nuk tregon shumë respekt për jetën njerëzore dhe për jetën e njerëzve të tyre. Pra, ka një aspekt utilitar, pragmatik të këtij lloji të negociatave midis të dyve”, deklaroi ai.

Lee tha gjithashtu se Koreja e Veriut kishte rezerva që ishte në gjendje t’i siguronte Rusisë.

“Pra, kur bëhet fjalë për fuqinë ushtarake, Koreja e Veriut nuk është shaka. Të dyja vendet do ta shohin këtë takim si në “interesin e tyre kombëtar”, shtoi ai.

Kim kishte nevojë ta vizitonte Putinin sepse “ai kërkon të përfitojë nga Rusia teknologji më të avancuar ushtarake”.

“Këto janë qëllime të një rëndësie të madhe që Kim Jong Un i parashtroi në një kongres të madh partie në janar 2021”

Lexo gjithashtu
Total
0
Share