Përmbytjet në Greqi, shumë rajone pa energji elektrike

Pasojat nga përmbytjet në Greqi janë katastrofike. Shtëpitë dhe urat janë shembur ndërsa shtyllat e energjisë të cilat janë shkatërruar ende nuk janë riparuar. Përveç mungesës së energjisë elektrike, rajonet e prekura nga përmbytjet në shtetin fqinj kanë mbetur edhe pa ujë të pijshëm.

Në qytetin Volos me 150.000 banorë, rrjeti i furnizimit me ujë është shumë i dëmtuar, prandaj vendasit janë duke siguruar ujë përmes rrugëve alternative.

Nga përmbytjet katastrofike ka ende persona që rezultojnë të zhdukur ndërsa bilanci i viktimave u rrit në 15 të dielën. Trupat e një gruaje 88-vjeçare dhe dy burrave, 58 dhe 65 vjeç, u gjetën pranë qytetit të Karditës, një nga zonat më të goditura nga moti i keq. Më pas ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën trupin e një 42-vjeçari në zonën e Volos.

Deri më tani sipas autoriteteve evakuuar më shumë se 4,250 njerëz. Ndërkohë për të prekurit do të ketë mbështetje financiare. Kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis do të takohet të martën në Strasburg me Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen.

Ai pritet ta shfrytëzojë këtë takim për të siguruar fonde shtesë nga blloku në mënyrë që vendi të përballojë pasojat e stuhisë Daniel për të cilën meteorologët thanë se ishte më e keqja që goditi vendin që nga fillimi i regjistrimit të fenomeneve meteorologjike në vitin 1930.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share