Nuk ka shqiptar që nuk e ëndërronte këtë fitore dhe ajo erdhi në Tiranë. Shqipëria ka mposhtur Poloninë 2-0 në ndeshjen e saj më të rëndësishme në shtatë vitet e fundit, duke bërë një hap gjigant drejt kualifikimit për Euro 2024.
Një ndeshje e fortë nga të dy skuadrat, sidomos në minuta e para, ku të dy skuadrat luftuan për çdo top.
Fillimisht shënuan polakët në minutën e 24-të me mbrojtësin Jakub Kiwior.
Ai u gjend mirë në zonë për të tundur rrjetën e Thomas Strakoshës. Por rasti u rishikua në VAR dhe Kiwior ishte në pozitë jashtë lojë.
Shqipëria pas këtij momenti filloi të luajë më mirë dhe të krijojë më shumë.
Zhvillohej minuta e 37-të, kur Jasir Asani merr një top nga e djathta dhe me një gjuajtje të fuqishme shënoi për 1-0.
Edhe në pjesën e dytë vazhdoi loja e mirë e Shqipërisë, e sigurt në fazën defensive dhe jashtëzakonisht cinike në ofensivë.
Trajneri Sylvinho bëri ndryshime dhe ato ishin mjaftë të qëlluara, duke inkuadruar Mirlind Dakun e Taulant Seferin në vend të Sokol Cikalleshit dhe Myrto Uzunit.
Pikërisht sulmuesit gjilanas, Mirlind Daku në topin e parë të prekur realizoi gol pas një asistimi nga Ylber Ramadani. Për Dakun ishte goli i parë me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen e tij të dytë.
Deri në fund të ndeshjes, kuqezinjtë u mbrojtën fort dhe polakët nuk arritën në asnjë moment t’i rrezikonin duke u treguar si një përfaqësuese modeste karshi mbrojtjes gjigante të Shqipërisë në krye me kapitenin Berat Gjimshiti.
Me këtë fitore kuqezinjtë shkojnë në pozitën e parë në Grupin E me 10 pikë të tubuara, dy më shumë se Republika Çeke e Moldavia dhe katër më shumë se Polonia që ishte favoriti kryesor për ta fituar grupin.