A e kishit menduar ndonjëherë se tapat plastike të bëra bashkë mund të kthehen në shpresë për njerëzit e amputuar?
Gazetari Osman Stafa, me dëshirën e madhe për të bërë mirë, ka nisur që prej Gushtit fushatën e tij sensibilizuese për të mos hedhur tapat e shisheve plastike. Ashtu siç funksionon edhe në disa vende të tjera, këto tapa në sasi të konsiderueshme u shiten ricikluesve. Me paratë e mbledhura mund të ndihmohen fëmijë, të rritur dhe të moshuar të amputuar që s’kanë mundësi të blejnë një protezë apo karrocë.
I ftuar këtë të Enjte te “Rudina” në Tv Klan ai flet me detaje për projektin të cilën ka qëllim ta kthejë në një punë masive me kontributin e çdo qytetari.
Osman Stafa: Tapa është lëndë e parë për ricikiluesit të cilët më pas prodhojnë materiale të ndryshme me këto lloj tapash. E çdo lloj forme apo madhësie funksionon për fushatën tonë. Tek e fundit ne këto do i hedhim te koshi i mbeturinave, kjo është bërë deri më tani. Tani, duke e ndarë nga pjesa tjetër, ne e mbajmë dhe njëherë në 2 muaj apo 3 muaj, duke më kontaktuar mua në rrjetet sociale, dhe më pas ricikluesit i blejnë dhe me paratë që marrim mbrapsht, duke qenë çdo gjë transparente…
-Po patjetër, por besoj se duhen shumë tapa për të grumbulluar pastaj paratë për të blerë një protezë sepse edhe ato kushtojnë, duhet punë e madhe.
Osman Stafa: Janë ngritur grupe vullnetare në çdo qytet të Shqipërisë, po tentojmë të ngremë dhe të tjera. Nga kjo tapë nis çdo gjë, për të mbledhur sasinë që nevojitet. Ka familje të varfra apo fëmijë të amputuar, të cilët gjatë rritjes, shkojnë në shkollë e bullizohen e të tjera probleme. Por, në momentin që ti i mundëson një protezë ai ngrihet në këmbë dhe ecën normalisht, madje edhe vrapon. Ndryshon jetën!
Ky njeri ka nevojë vetëm për këtë aktin e vogël, ka fëmijë që nuk dalin dot jashtë sepse janë të paralizuar, pse mos t’u mundësojmë dot një karrocë? Një karrocë me bateri që ka një kosto të caktuar, dhe ti i jep atij njeriu një lloj lirie. Ka dhe nga ata njerëz që jetojnë jashtë Shqipërisë që më kanë shkruar, ata s’kanë mundësi të mbledhin apo të dorëzojnë tapat, por më kanë thënë që duan të mundësojnë protezën për një fëmijë apo gjysh. Kjo fushatë ka shërbyer…
Na ka ndodhur që teksa në Tiranë zhvilloheshin koncerte, jemi organizuar 5, 6 vetë dhe kemi qëndruar deri në orën 2 të mëngjesit duke mbledhur tapat, dhe unë personalisht, por edhe personat që erdhën si vullnetarë. Kjo për të dhënë një mesazh: Nuk është turp të mbledhësh tapa plastike, turp është kur e ke një të mirë aty dhe nuk i jep një shtysë për t’u bërë bashkë, sepse duke u bërë sa më shumë ne shkojmë në ndihmë të atyre që kanë nevojë./tvklan.al