Presidentja Osmani- shefit të NATO-s: Sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it u kryen nga krimi i organizuar serb

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë konferencës që pati me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përmendur plagosjen e mbi 90 ushtarëve të KFOR-it në veri të vendit.

Osmani tha se sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë janë planifikuar, organizuar e ekzekutuar nga krimi i organizuar serb, siç, sipas saj, është vërtetuar në pamje.

“Sekretar, nëse ka pandëshkueshmëri për sulmet e 29 Majit ndaj ushtarëve të KFOF-it dhe policëve të Kosovës e gazetarëve, ka mundësi që kryerësit ta kuptojnë këtë si dobësi tonën dhe do të trimërohen për ta përsëritur atë akt dhune.

“Ata që kanë urdhëruar atë sulm janë shumë qartë të njohur dhe për këtë si presidente e Kosovës i ofrojmë NATO-s bashkëpunim të plotë që t’i sjellim kryerësit e atyre sulmeve para drejtësisë. Duhet të ketë llogaridhënie të thellë e të plotë për këto grupe të krimeve të organizuara. Ata që kanë sulmuar NATO-n janë shumë të njohur, ka video që i kemi parë dhe janë zyrtarë policorë që kanë ardhur nga Serbia, pra këta janë pjesëtarë të institucioneve të Serbisë. Jo vetëm që nuk janë pezulluar, nuk ballafaqohen me asnjë pasojë”, tha Osmani.

Më tej ajo përmendi edhe dorëheqjet e policëve serbë, duke thënë se presionet e Serbisë duhet të ndalen.

Kurse, në lidhje me sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, Stoltenberg tha se përgjegjësit për vepra të tilla duhet të dalin para drejtësisë.

“Sulmi ndaj paqeruajtësve të NATO-s që ka ndodhur në maj të këtij viti është i papranueshëm dhe është e rëndësishme që ata që janë përgjegjës për vepra të tilla të mbahen përgjegjës. Ata që janë përgjegjës duhet të mbahen para drejtësisë”, tha Stoltenberg. /klankosova

Lexo gjithashtu
Total
0
Share