DEBATE NË KUVEND PËR SKANDALIN NË ONKOLOGJI, ARSIMIN SHQIP NË VELES
Mundësia që 20 deputetë të kërkojnë thirrjen e seancës së re nuk është obligim për Kryetarin e Kuvendit që të caktojë seancë – ka deklaruar Kryeparlamentari Talat Xhaferi, në fillim të seancës së 125-të të Kuvendin, duke iu përgjigjur kërkesës së deputeteës së opozitës Dafina Stojanovska që të thirret vazhdimi i seancës së 123 për ndryshimet kushtetuese.
Kryeparlamentari Xhaferi tha se vazhdimi i seancës së ndërprerë të 18 gushtit është nën kompetencat e Kryetarit të Kuvendit.“Neni 5 i paragrafi 81 është i qartë, i saktë dhe i prerë në kuptimin e asaj se seanca e ndërprerë është në kompetenca të Kryetarit të Kuvendit, se kur do të vazhdojë seanca. Ashtu sikurse shumë seanca presin vazhdimin për shkak të gjërave të caktuara, që tashmë dihen në opinion, e kjo është për shkak të mos punës së komisioneve adekuate. Seanca e 123 do të nis atëherë kur do të ketë kushte për t`u vazhduar”, tha Talat Xhaferi, kryetar i kuvendit.
Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska, tha se në këtë seancë duhet të flitet për skandalin në klinikën për onkologji e jo të vehen ligje me flamuj evropian.
“Ndalni këtë film, jashtë kemi realitet, jashtë na ndodhin ngjarje të tmerrshme, kurse ju do ta votoni ligjin që të amnistoheni”, tha Dafina Stojanovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Deputeti i pavarur, Skender Rexhepi, pajtohet me kolegen Stojanovska, për skandalin në onkologji se ka të bëjë me vepër penale, por sipas Rexhepit vepër penale është edhe pamundësia që Shqiptarët e Velesit të arsimohen në gjuhën e tyre amtare.
“Shqiptarëve të Velesit nuk u lejohet të arsimohen në gjuhën shqipe. A nuk është kjo vepër penale kur e drejta kushtetuese përfshin edhe parimin për arsim?”, tha Skender Rexhepi, deputet i pavarur.
Ndryshe, dje VMRO-DPMNE-ja zyrtarisht ka kërkuar nga Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, të votohet në parlament nevoja për ndryshimet kushtetuese. Grupi Parlamentar i VMRO-DPMNE-së, kërkon që të mos zvarritet procedura dhe të thirret vazhdimi I seancës së 123-të, që u ndërpre më 18 gusht./KlanMacedonia