Në gjimnazin “Koço Racin” të Velesit, 20 nxënës shqiptarë mbeten pa u regjistruar, me arsyetim skandaloz se kinse nuk i plotësojnë kushtet. Kjo është vetëm edhe një dëshmi se urrejtja ndaj shqiptarëve është më e fuqishme se një e drejtë e garantuar që ka të bëjë me arsimimin në gjuhën amtare. Jo vetëm kaq, por nga ky gjimnaz janë larguar edhe katër profesorë shqiptarë, ndërkaq 10 nxënës shqiptarë janë detyruar të regjistrohen në paralelet maqedonase. Me këtë akt, drejtoria e këtij gjimnazi thjeshtë nxënësit shqiptarë i lë në rrugë që të gjinden kush si të mundet.
Edhe ky skandal tregon se problemet në arsimimin shqip në Republikën e Maqedonisë vit pas viti vetëm se shtresohen dhe, pavarësisht se për momentin ministri i Arsimit dhe zëvendësi i tij janë shqiptarë, zgjidhja e këtyre problemeve mbetet vetëm për t’u dëshiruar.
Departamenti i arsimit pranë Lëvizjes Demokratike kërkon reagim të shpejtë të institucioneve përkatëse dhe ndalimin e këtyre veprimeve që dëmtojnë rëndë një shtyllë të indit kombëtar të shqiptarëve, siç është arsimi. Duhet të vihen në lëvizje zëvendëskryeministri Grubi, ministri i Arsimit Shaqiri dhe zëvendësi i tij, Nuhiu, në të kundërtën ata do të jenë përgjegjësit kryesorë për dëmtimin e këtij indi kombëtar. E drejta për të mësuar në gjuhën amtare është e drejtë e garantuar dhe në këtë drejtim nuk mban asnjë arsyetim” – thonë nga Lëvizja Demokratike. /KlanMacedonia/