Një festë e organizuar nga një çift për të zbuluar gjininë e foshnjes së tyre është kthyer në tragjedi. Ngjarja ka ndodhur në Sinaloa të Meksikës.
Çifti kishte marrë me qira një avion që do të fluturonte mbi kokat e tyre dhe do të hidhte pluhur ngjyrë rozë ose blu në varësi të gjinisë së fëmijës.
E kështu ndodhi. Sapo bashkëshorti njoftoi partneren e tij se fëmija që po presin është vajzë, avioni i vogël hodhi pluhur rozë mbi kokat e tyre.
Por në këtë moment gjithçka shkoi keq. Avioni humbi kontrollin dhe u përplas në tokë vetëm pak metra larg vendit ku po mbahej festa. Të pranishmit fillimisht nuk e kuptuan tragjedinë, pasi kishin shpërthyer në brohoritje nga njoftimi për gjininë e fëmijës.
Piloti i avionit, një 32-vjeçar, u gjet mes rrënojave dhe u dërgua në spital. Për fat të keq ai humbi jetën për shkak të dëmtimeve të rënda që kishte pësuar.
/tvklan.al