Sulmi me dron rus synon rajonin e Odesës

Zelensky: Ushtria ukrainase po përparon në kundërofensivën e saj në disa rajone ndaj forcave ruse

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës rrëzuan 22 prej 25 dronëve iranianë Shahed, të lëshuar nga Rusia në rajonin Odesa. Dy civilë mbetën të plagosur ndërsa sulmet goditën infrastrukturën e lumit Danub. Mbetet e paqartë se cili port u godit, por ushtria ukrainase shoi shpejt zjarrin e shkaktuar nga sulmet.

Sulmi ndodhi një ditë përpara se presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Rexhep Tajip Erdogan do të zhvillojnë bisedime në vendpushimin rus të Detit të Zi, Soçi. Danubi është kthyer në rrugën kyçe për Ukrainën për transportim të grurit prej skadimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, që ka mundësuar transportimin e sigurt të mallit përmes Detit të Zi.

Ndërkaq në fushën e betejës presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ushtria ukrainase po përparon në kundërofensivën e saj ndaj forcave ruse, duke hedhur poshtë kështu deklaratat e zyrtarëve perëndimorë që thonë se Ukraina po fiton terren me shumë ngadalësi.

Përparimi i ukrainasve në fushëbetejë është shfaqur më shumë në një pjesë të frontit në Zaporizhian juglindore. Kundërofensiva e shumëpritur, që tashmë po mbush pothuajse tre muaj, ka arritur të rimarrë mbi dymbëdhjetë fshatra, por jo qendra të mëdha, ndërkohë që përparimi është penguar nga fusha të gjera të minuara dhe vijat mbrojtëse të forcave ruse.

Disa druhen se mund të zbehet mbështetja e Perëndimit, ndërsa moti më i ftohtë do të ngadalësojë progresin. Perëndimi ka dhënë miliarda dollarë për kundërofensivën dhe Kievi thotë se i nevojiten edhe më shumë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share