OSMANI: NJOFTIMI I PRESIDENTIT TË KE-së JEP SHPRESË TË RE
Kryeministri Dimitar Kovaçevski është i bindur se deputetët do të mbështesin procesin eurointegrues dhe nuk do të mungojnë deputetë për votimin e ndryshimeve kushtetuese.
Ai përsëriti se, për vazhdimin e këtij procesi, nevojitet shumicë prej dy të tretave. Sipas tij, përfitimet e anëtarësimit në BE janë shumë të mëdha, posaçërisht në pjesën e ekonomisë.
“Të gjithë anëtarët e Kuvendit kanë për obligim të mbështesin rrugën evropiane të shtetit sepse të rintjë largohen nga vendi në shtete të BE-së, sepse aty kanë prosperitet ekonomik, sundim të së drejtës, drejtësi sociale dhe sundim të demokracisë. Atë e duan qytetarët tanë dhe këtë e duam edhe ne” – tha Kovaçevski.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani në një kolumnë të publikuar sot rreth procesit eurointegrues ka theksuar se, njoftimi i presidentit të Këshillit Evropian në Bled të Sllovenisë ku thuhet se BE-ja duhet të përgatitet për zgjerim deri në vitin 2030, jep shpresë të re. Ai thekson se kjo qasje e rishikuar nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë, por një proces shpërblyes përgjatë rrugës drejt BE-së.
“Të ballafaquar me realitetin e ndryshueshëm gjeopolitik, me theks të veçantë mbi agresionin brutal kundër Ukrainës, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë në një moment kritik. “Integrimi para anëtarësimit” nuk është thjesht një alternativë; është një domosdoshmëri, duke siguruar që BE-ja të mbetet gjithëpërfshirëse, e begatë dhe, mbi të gjitha, e bashkuar në diversitetin e saj. Dhe, kur BE-ja thotë se duhet reformuar, nuk duhet kuptuar këtë si krijim të pengesave të reja për zgjerim, por përkundrazi – krijim të kushteve që do t’i mundësojnë që së shpejti të na kenë anëtarë të rinj” – tha Bujar Osmani.
Presidenti i Këshillit Evropian, Sharl Mishel gjatë samitit në Bled të Sllovenisë, tha se Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate duhet të jenë të gatshëm deri në vitin 2030 për një zgjerim të ri të unionit. /KlanMacedonia/