Partia Demokratike Evropiane e Arijanit Hoxhës ka reaguar për rastin në Spitalin Klinik të Onkologjisë në Shkup, duke thënë se krimi dhe korrupsioni kanë depërtuar thellë tek ne si vend dhe shoqëri, përcjellë Klan M.
”Për fat të keq skandali që ka ndodhur në Klinikën e onkologjisë nxjerr në sipërfaqe se krimi dhe korrupsioni kanë depërtuar thellë në çdo pore të shoqërisë.
Partia Demokratike Evropiane inkurajon institucionet e rendit dhe drejtësisë që të kryejnë me seriozitet hetimet dhe përgjegjësit e këtij akti të shëmtuar dhe kriminal të marrin dënimin e duhur.
Tani më shumë se asnjëhere duhet të fillohet betejë pa komromis me krimin e organizuar dhe korrupsionin, fenomene këto që për çdo ditë humbin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit dhe ndikojnë në largimin masiv të tyre nga vendi.
Koha e personave të paprekshëm dhe të mbrojtur nga institucionet duhet të merr fund, ndërsa rasti me Klinikën e onkologjisë është alrami i fundit që institucionet të veprojnë dhe fajtorët të marrin dënimin maksimal. Thënia se “korrupsioni vret” si asnjëherë më parë dëshmohet me këtë rast, prandaj vlersojmë se ky është alarmi i fundit për të dëshmuar në vepër se krimi dhe korrupsioni nuk do kalojnë pa u dënuar.
Besimi në institucionet të të gjitha sferave mund të rikthehet vetëm duke luftuar fenomenet devijante, përndryshe çdo deklarim verbal për aspirata drejt vlerave evropianë është i barazvlefshëm me zero nëse nuk fillohet seriozisht të punohet në parandalimin e këtij “kanceri” të quajtur krim dhe korrupsion i cili për fat të keq ka depërtuar në të gjitha nivelet e shoqerisë” – thuhet në kumtesën e PDE-së. /KlanMacedonia/