Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha më 31 gusht se vendi i tij ka zhvilluar një armë me rreze të gjatë veprimi, që goditi një objektiv 700 kilometra larg, në një referencë të dukshme ndaj sulmit të një dite më parë në një aeroport në pjesën perëndimore të Rusisë.
Zelensky tha në kanalin e tij në platformën Telegram se arma ishte prodhuar nga Ministria e Industrive Strategjike të Ukrainës, por nuk dha detaje të tjera.
Një ditë më parë, një valë katërorëshe e sulmeve me dronë, për të cilën Moska e fajësoi Ukrainën, goditi një aeroport afër kufirit të Rusisë me Estoninë dhe Letoninë, duke dëmtuar katër avionë transportues ushtarakë Il-76, sipas raporteve lokale.
Aeroporti ndodhet në rajonin Pskov të Rusisë, rreth 700 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën. Në total, gjashtë rajone ruse u vunë në shënjestër.
Zyrtarët e Kievit zakonisht as nuk marrin përgjegjësi, por as nuk e mohojnë përgjegjësinë për sulmet në territorin rus, megjithëse ndonjëherë ata u referohen atyre sulmeve në mënyrë indirekte. Deklarata e fundit e Zelenskyt ishte aludimi më i qartë se Ukraina qëndronte pas një sulmi në Rusi.
Sulmi i 30 gushtit e detyroi mbylljen e aeroportit të Pskovit, megjithëse ai u rihap sot, sipas zyrtarëve rusë të transportit.
Një tjetër dron i kapur gjatë natës pranë Moskës rezultoi në vonesa fluturimi në disa aeroporte rreth kryeqytetit rus, thanë zyrtarët rusë më 31 gusht. Nuk raportohet për të lënduar.Agjencia ruse e lajmeve Interfax raportoi ndërkohë se shërbimet e sigurisë vranë dy persona dhe arrestuan pesë anëtarë të një grupi sabotues ukrainas në rajonin kufitar Bryansk më 30 gusht.
Dronët e dukshëm ukrainas që arrijnë thellë në Rusi dhe misionet e sabotimit ndërkufitar janë pjesë e përpjekjeve të Kievit për të shtuar presionin e brendshëm mbi Kremlinin, ushtarakisht dhe politikisht. Ndërkohë, një kundërofensivë ukrainase e nisur në qershor po përparon në disa pjesë të vijës së frontit, pretendojnë zyrtarët e Kievit.
Ukraina po synon “të gërryejë moralin rus dhe të rrisë presionin mbi komandantët e saj”, tha në një vlerësim Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS).
Strategjia është “t’i sjellë forcat ruse në një pikë kthese ku fuqia luftarake dhe morali mund të fillojnë të thyhen”, tha IISS në analizën e publikuar mbrëmjen e 30 gushtit.