Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë në Forumin Strategjik të Bledit, se BE nuk është vendi i duhur nëse synohet për të marrë më shumë fonde e para.
“Është shumë e rëndësishme që shtetet sovrane dhe të lira vendosin se me kë janë dhe kujt i takojnë. Ne në Kosovë besojmë se jemi të gatshëm dhe të përgaditur për të bërë këtë udhëtim. Kemi aplikuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe jemi shumë optimistë se do t’ia dalim të anëtarësohemi”.
“Mendoj se janë katër pyetje që duhet të ju përgjigjemi. Pyetja e parë është kur? BE-ja është union politik në respektimin e të drejtave të njerëzve dhe komuniteteve. 2030-ta është një qëllim për të cilin ne mund të përgaditemi, nëse BE-ja nuk e ndryshon vitin si afat”.
“Pyetja tjetër është pse? Pse në BE. Nëse është për të marrë më shumë para e fonde, atëherë BE-ja nuk është vendi i duhur për të bërë këtë gjë, prandaj kjo është e rëndësishme për mua; ndjenja e përkatësisë”.
“Ne duhet të mos e nënvlerësojmë një aspekt të dytë, atë politik, financiar, por edhe atë të sigurisë. Siguria dhe zhvillimi ekonomik e përkatësia politike shkojnë bashkë me njëra-tjetrën”.