Kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra së bashku me kryesinë e Odës kanë pritur sot në takim Ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ndër temat e diskutuara në takim, siç njoftohet, kanë qenë konkurueshmëria, lufta kundër monopolit, nxitja e sipërmarrësisë dhe ruajtja e fuqisë punëtore të vendit, përcjell KlanM.
“Kryetari Qyra theksoi se është i rëndësishëm bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të adresohen problemet e sektorit privat, me qëllim që të arrihet një stad i kënaqshëm i tregut të lirë inkluziv për të gjithë. Gjithashtu, u potencua që komisionet e ndryshme monitoruese të vendit përfshirë këtu edhe komisionin për mbrojtje të konkurrencës të vihen në funksion, me qellim që konkurrenca jolojale dhe dominimi i padrejtë në treg të ndërpritet kështu duke nxitur aktivitet ekonomik në tregun e lirë”, thonë nga OEMVP.
Ministri Bekteshi ka ftuar OEMVP-në për pjesëmarrje aktive në përpilimin e masave dhe strategjive të ndryshme të vendit, duke paralajmëruar për masa dhe projekte të cilat do të ndihmojnë zhvillimin dhe rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
“Me menaxhmentin e OEMVP-së biseduam për shumë tema që janë me rëndësi për
mbështetjen dhe zhvillimin e biznesit. Biseduam për ndryshimet e reja të Ligjit për zonat
industriale që janë duke u përgatitur në pjesën e zonave industriale që janë në kompetencë të
komunave. Njëra nga temat për të cilat biseduam ishte përfshirja edhe e sektorëve të tjerë që
do të përfshihen me Ligjin për mbështetje financiare të investimeve, si dhe për mekanizmin e ri
që e përgatisim në pjesën e skriningut të investitorëve të huaj dhe vendorë në pjesën e sigurisë.
Që kur hyri në fuqi Ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorëve, me kryesinë e Odës Ekonomike
biseduam edhe për vendosjen e rregullativave dhe mekanizmave të reja antimonopol për
mbrojtjen edhe të konsumatorëve edhe të kompanive në të cilat për momentin punon Ministria e
Ekonomisë“, tha ministri Bekteshi./KlanMacedonia