Mbetet mister shkaku i rrëzimit të avionit
Autoritetet ruse deklaruan këtë tëdiel se testet gjenetike kishin konfirmuar se Yevgeny Prigozhin, shefi i grupit mercenar Wagner, ishte në mesin e 10 personave të vrarë në një aksident avioni javën e kaluar.
Ky konfirmim vjen pasi në rrjetet sociale kishin nisur të qarkullonin spekulime të shumta, veçanërisht në kanalet pro-Wagnerr, nëse Prigozhin – i cili njihej se merrte masa të ndryshme sigurie në pritje të një tentative të mundshme për jetën e tij – kishte qenë vërtet në fluturimin e gabuar. Megjithatë autoritetet ende nuk kanë thënë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit të tij privat nga qielli.
Incidenti u shënua vetëm 2 muaj pasi Prigozhin dhe mercenarët e tij Wagnerr organizuan një rebelim kundër komandantëve ushtarakë rusë duke marrë kontrollin e qytetit Rostov, dhe përparuan drejt Moskës përpara se të ktheheshin rreth 200 kilometra nga kryeqyteti. Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi rebelimin si një “thikë pas shpine“, por më vonë besohet se u takua me Prigozhin në Kremlin.
Ai shprehu ngushëllimet e tij për familjet e atyre që besohet se kanë vdekur në aksident. Politikanët perëndimorë kanë hedhur dyshime se ndoshta Putini urdhëroi që Prigozhin të vritej si ndëshkim për kryengritjen.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se sugjerime të tilla ishin “një gënjeshtër absolute“. Putin bëri komente të përziera për Prigozhin duke e përshkruar si një “biznesmen të talentuar“, por edhe si një personazh me të meta që “bëri gabime të rënda në jetë“.
Tv Klan