“Politika është bishë”, Rama flet për raportin me Mitsotakis: Do të mbetet gjithnjë një mik që e pëlqej dhe e respektoj

Në intervistën për gazetën greke “Kathimerini”, kryeministri Rama foli edhe për raportet me homologun grek Mitsotakis pas darkës jo formale të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor. Rama shprehet se nuk ndihet i fyer personalisht dhe nuk do ta bënte të njëjtën gjë, ndaj e ka ftuar Mitsotakis në muajin Tetor në Tiranë për samitin e Procesit të Berlinit.

Veç të tjerash Rama tha se e ka pëlqyer dhe respektuar gjithnjë Mitsotakis si mik e nëse gjërat nuk ndreqen, konsiderata e tij për të nuk ndryshon.

Gazetari: Z. Kryeministër, u ndjetë i fyer personalisht që Mitsotakis nuk ju ftoi në Athinë në darkën joformale të së hënës së kaluar me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor? Sigurisht, ju u përgjigjët në Tëitter se ai është ftuar në tetor në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë.Çfarë tjetër doni t’i thoni Kryeministrit Mitsotakis?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, pikë së pari, gjatë gjithë këtij rrugëtimi në jetë, kam mësuar se të ndihesh i fyer personalisht nuk është diçka që të bën të jetosh mirë. Ndaj, nuk e marr kurrë personale, kur bëhet fjalë për politikën, për gjëra që ndodhin e që mund të jenë të pakëndshme për ty a që mund të të bëjnë të ndihesh keq. Sepse, tekefundit, politika është një bishë e rrezikshme, që mund të të tërheqë poshtë e të të bëjë të thuash a bësh gjëra për të cilat nuk je krenar, kështu që, jo, nuk jam i fyer personalisht. Thjesht, unë nuk do ta bëja (atë që bëri ai) e as nuk e imagjinoj të vihem në të njëjtën pozitë për të bërë diçka të tillë. Madje, për më tepër, mendoj se qëllimi i takimit dhe e nismës që ndërmori Qirjakosi lidhet me diçka shumë të madhe shumë të madhe. Kështu, të lidhësh këtë qëllim kaq të madh, të lidhësh një nismë kaq të rëndësishme me dërgimin e një mesazhi për mua, për Shqipërinë Për çfarë? Çfarëdo rëndësie t’i japë pala greke kësaj çështjeje, që e dimë të gjithë se me çfarë ka të bëjë, nuk është kjo mënyra për të vepruar. Mendoj se, sidomos kur ndodhin gjëra të pakëndshme midis miqve, miqtë duhet të përballen me njëri-tjetrin, të flasin me njëri-tjetrin, të përpiqen të kuptojnë, ta nderojnë miqësinë duke qenë shumë të hapur e në të njëjtën kohë pa harruar asnjëherë se janë miq. Qirjakosi ishte një mik që e pëlqeja dhe e respektoja, e vazhdon të jetë një mik që e pëlqej dhe e respektoj. Shpresoj që kjo gjë do të ndreqet, por edhe nëse nuk ndodh, Qirjakosi do të mbetet gjithnjë një mik që e pëlqej dhe e respektoj. Pastaj, politika, siç e thashë, mund të jetë një ndikim shumë i keq; mund të të bëjë të thuash e të bësh gjëra që, me kalimin e kohës, kupton që nuk ishin gjërat e duhura./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share