Pas njoftimit se një familje shqiptare nga Gostivari është maltretuar në Serbi, sepse një nga udhëtarët në makinë ka pasur një simbol etnik shqiptar në bluzë, AlternAtivA shpreh shqetësimin e saj se Serbia është bërë vend i rrezikshëm për secilin shqiptar që udhëton nëpër këtë shtet, përcjell KlanM.
Nga kjo parti thonë se Vuçiqi ua përmbys ëndrrat për “Ballkan të hapur” krerëve të LSDM-së dhe BDI-së, ndërsa rastin e lidhin edhe me ngjarjet në Maqedoni, pas vizitës së Albin Kurtit në Çair dhe Tetovë. Sipas Alternativës, edhe në Maqedoni po bëhet fushatë kundër simboleve etnike shqiptare.
“Duke e dënuar këtë akt si shkelje e rëndë e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe albanofobi e tmerrshme, AlternAtivA kërkon informacion zyrtar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut se çfarë masash diplomatike ka ndërmarrë ose do të ndërmarrë Maqedonia e Veriut kundrejt kësaj shkeljeje të marrëdhënieve ndërshtetërore nga Serbia kundrejt Maqedonisë së Veriut? Me këtë rast nuk mund të mos konstatojmë se kjo sjellje albanofobe e Serbisë kundrejt shqiptarëve, kësaj radhe qytetarë të Maqedonisë së Veriut, flet se në Beograd nuk ka ndryshuar asgjë nga koha e Millosheviqit dhe se ëndrrat e Kovaçevskit e Ali Ahmetit për “Ballkanin e hapur” ua përmbys sakaq Vuçiqi kur të dojë e si të dojë. Përveç kësaj, indikative është se ky akt përkon edhe me fushatën e qeverisë së Maqedonisë së Veriut që bëhet kundër simboleve etnike shqiptare, që janë shfaqur para ca ditësh në një tubim në Tetovë. Zaten, shqetësimi më i madh është se Maqedonia e Veriut, me këtë qeveri, po bëhet poligon i Serbisë”, thuhet në reagimin e Alternativës./KlanMacedonia