Hetuesit në Rusi kanë gjetur tashmë mbetjet e trupave të 10 personave që ndodheshin në bordin e avionit të vogël privat, që ra mbrëmjen e të mërkurës, 100 kilometra në veri të Moskës e ku ndodhej edhe shefi i grupit famëkeq të militantëve Wagner, Jevgeni Prigozhin dhe zëvendësi i tij Dimitri Utkin.
Trupat do t’iu nënshtrohen analizave të ADN-së për të vërtetuar identitetet e tyre e po ashtu për të përcaktuar një herë e mirë nëse Prigozhin është mes viktimave, pas dyshimeve se ai mund të ketë qenë në avionin tjetër privat në pronësi të tij që udhëtonte paralelisht dhe që u ul me sukses në Shën Pjetërburg.
Megjithatë, autoritetet ruse dhe pjesëtarët e grupit Wagner janë të bindur se mes viktimave në avionin e rënë ndodhej edhe 62-vjeçari.
Mister mbeten shkaqet e rënies, për të cilat Moska dhe vetë Putin nuk ka folur fare. Në rrjetin social Telegram ku janë aktivë edhe anëtarët e Wagnerit, thuhet se avioni u qëllua nga sistemi rus anti-ajror. Pa hedhur akuza të drejtpërdrejta, ata paralajmërojnë hakmarrje ndaj përgjegjësve, të cilët i quajtën tradhëtarë.
Tragjedia ndodhi pikërisht në ditën kur shënoheshin dy muaj nga rebelimi disa orësh i grupit Wagner nën komandër e Prigozhinit, i cili tentoi për disa orë të marshonte drejt Moskës, pasi kundërshtonte qasjen e Ministrisë së Mbrojtjes ruse në luftën e Ukrainës.
E paqartë mbetet edhe arsyeja pse ai ishte në Moskë, pasi me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga lideri bjellorus Lukashenko, në këmbim të mosburgimit, ai nuk do të lejohej më të shkelte në Rusi.
Tv Klan