Neptuni tepër misterioz për astronomët! Mediat e huaja shkruajnë se retë përreth tij janë zhdukur rreth 4 vjet më parë. Sipas shkencëtarëve tanimë, vetëm një pjesë e këtyre reve shihet në polin jugor të planetit.
Neptuni është mbajtur nën vëzhgim prej gati tre dekadash nga tre teleskopë hapësinorë dhe prej vëzhgimeve rezulton se “mbulesa e reve” lidhet me ciklin e Diellit. Kështu ka deklaruar dhe profesori i njohur i astronomisë Imke de Pater i cili thekson se kur rrezet ultraviolet të Diellit janë mjaftueshëm të forta ato shkaktojnë një reaksion fotokimik që prodhon retë e Neptunit. Gjatë ciklit diellor, niveli i aktivitetit në fushat magnetike rritet dhe zvogëlohet.
Sipas NASA-s kur ka aktivitet të shtuar në diell, rrezatimi ultravjollcë ‘bombardon’ sistemin diellor.
Me të dhënat nga Teleskopi Hapësinor Hubble i NASA-s, kuptohet se reflektimi i planetit të Neptunit u rrit shumë në vitin 2002 dhe u zbeh 5 vite më vonë. Neptuni u ndriçua sërish në 2015-ën, e ndërsa në 2020-ën shënoi periudhën e tij më të errët. Është pikërisht ky moment që shënoi dhe zhdukjen e pjesës më të madhe të reve.
Kjo lidhje mes reve me Diellin në fakt është tejet e çuditshme për shkencëtarët sepse Neptuni është planeti i madh më i largët i sistemit diellor dhe nga rrezet e këtij të fundit merr vetëm 0.1% të intensitetit, krahasuar me Tokën.
Më parë u aludua se krijimi i reve mund të kishte lidhje me 4 stinët e Neptunit, ku secila zgjat plot 40 vite, por hipoteza ra menjëherë poshtë.
Marrëdhënia midis rritjes së shkëlqimit të diellit dhe formimit të reve për shumë shkencëtarë është një fenomen magjepsës dhe përmes teknologjisë gjithnjë e në zhvillim mund të zbulojnë më tepër për këtë.
Kjo mbulesë resh në fakt është e domosdoshme pasi i shton ‘dritën’ Neptunit dhe e bën më të thjeshtë vëzhgimin me teleskop./tvklan.al