Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nuk është i kufizuar në kohë se kur duhet të caktojë vazhdimin e seancës, diskutimi për të cilën përfundoi ditën e kaluar e që ka të bëjë me nevojën e ndryshimeve kushtetuese, përcjell KlanM. Kjo do të thotë që mund të kalojnë edhe muaj të tërë.
Por sipas Presidentit Pendarovski, afati përfundimtar është deri në fund të muajit nëntor. Deri atëherë, ndryshimet duhet të hyjnë në fuqi dhe votimi duhet të jetë i suksesshëm. Ndryshe, skriningu i BE-së përfundon më 1 dhjetor dhe këtu, sipas tij, përfundon historia.
Gjatë debatit të të premtes u paraqitën disa folës në Kuvend. Kryeministri Kovaçevski mbrojti qëndrimin për hapje dhe ndryshim të Kushtetutës, si e vetmja zgjedhje për integrim në BE. Opozita maqedonase këmbënguli për votim të menjëhershëm, për t’u dëshmuar, sipas tyre, se shumica nuk i ka votat e nevojshme. Vendi sipas opozitës, duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Opozita shqiptare kërkoi që me hapjen e Kushtetutës të ndryshohet edhe formulimi “20 për qind” që i referohet gjuhës shqipe. /KlanMacedonia