Vizita e Kurtit | Pendarovski: Problemi tek organizatorët, jo te kryeministri i Kosovës!

Kurti nuk tha asnjë fjalë ofenduese për popullin maqedonas dhe RMV-në

Vizita e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte problematike, por problemet u shkaktuan nga nikoqirët e tij – thotë Presidenti Stevo Pendarovski gjatë një interviste për Tv Sitel, percjell KlanM.

Presidenti Pendarovski ka deklaruar se ka një bashkëpunim shumë të mirë me Albin Kurtin dhe se sipas tij gjatë paraqitjes publike të Kurtit në Shkup dhe Tetovë nuk ka dëgjuar asgjë ofenduese për vendin dhe popullin maqedonas.

“Vizita e Kurtit nuk ishte problematike. Gjatë paraqitjes së tij publike në Çair dhe Tetovë nuk pashë asnjë fjali ofenduese për Maqedoninë ose popullin maqedonas. Reagimi im ishte për nikoqirët e tij. Bëjnë subjekt të ri politik, përpiqen të bashkohen në opozitën shqiptare dhe supozoj me në këtë mënyrë, me ikonografi, dëshirojnë të profilizohen tek elektorati potencial i tyre”, theksoi Presidenti Pendarovski.

Nuk ka asgjë kontestuese lidhur me emrin e rrugës “Adem Demaçi” – thotë Presidenti Pendarovski, sic njofton KlanM, duke sqaruar se përmes reagimit të tij kishte dashur të hap debat demokratik, se përse tani është riemëruar kjo rrugë, nëse vendimi ishte miratuar para dy viteve.

“Bëhet fjalë për një njeri që gjatë nje periudhe ka jetuar dhe studiuar në Shkup dhe ka jetuar në atë rrugë, bëhet fjalë për një njeri të cilin Këshilli Evropian e nderoi me çmimin “Saharov”. Kërkova debat demokratik se përse nëse vendimi për riemërim është miratuar para dy viteve, të implementohet tani”, tha Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, Presidenti Pendarovski, i cili kërkoi të sanksionohen organizatorët e tubimeve në Çair dhe Tetovë, për shkak të ikonografisë nacionaliste, sic njofton KlanM, ishte akuzuar nga Alternativa për albanofobi.

Nga Alternativa, sic njofton KlanM, thanë se duke sulmuar Kurtin, Pendarovski dëshiron t`i vardiset BDI-së, për të marrë mbështetje për kandidaturë të re për President të vendit./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share