Osmani për dorëheqjet e policëve: Autor Beogradi, BE-ja të ndërmarrë veprime

Presidentja Vjosa Osmani ka fajësuar autoritetet në Beograd për dorëheqjet e fundit të zyrtarëve serbë nga Policia e Kosovës. Ajo ka thënë se frikësimi dhe shantazhi i strukturave të Beogradit kanë pasur gisht në këto dorëheqje.

Këto komente e para e shtetit i ka bërë në konferencën për media pas takimit me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, shkruan RTK.

“Momenti i fundit kur i numërova numri i dorëheqjeve kishte shkuar deri në 7. Sipas hetimeve të institucioneve tona kjo ka ardhur si pasojë e frikësimit e shantazhimit ndaj tyre nga Serbia. Ky shtet fatkeqësisht po vazhdon me agresion të hapur ndaj Kosovës. Po vazhdojnë që me institucionet e veta ilegale në Kosovë t’i bëjnë shantazh qytetarëve serbë, të cilët janë pro integrimit. Veprimet e tilla janë shkelje flagrante të marrëveshjeve të parapara, pres nga BE që të ndërmarrë veprime ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për shkeljet e marrëveshjes së Brukselit por edhe për shkeljet e standardeve ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

Tutje ajo ka thënë se autori i vetëm i këtyre dorëheqjeve është Serbia.

“Ma kanë konfirmuar në çdo takim që presioni ndaj policëve serb vjen nga strukturat e tyre paralele, autori është në Beograd”, ka thënë ajo.

Presidentja ka folur edhe për takimin të cilin e mbajti me kryetarin Elezaj në vazhdën e vizitave nëpër komunat e Kosovës. Një nga temat e takimit ishte parandalimi i vërshimeve si dhe ruajtja e bukurive natyrore siç është Ujëvara e Mirushës. Osmani u shpreh se kjo pjesë si një prej atraksioneve më të rëndësishme të vendit, ka nevojë për më shumë investime.

“Diskutuam edhe për projekte të rëndësishme infrastrukturore, siç është rruga e Tranizitit, do të tentojmë që t’i shtyjmë përpara këto projekte”, ka premtuar Osmani.

Tutje ajo potencoi se takimet me kryetarët e komunave po ndodhin në mënyrë që të kuptojnë problematikat e qyteteve, të cilat mund t’i zgjedhin nëpërmjet projekteve të përkrahura nga partnerët ndërkombëtar.

“Diskutimet tona në këtë cikël janë edhe në përgatitje të projekteve konkrete që ne si Presidencë bashkë me kryetarët e komunave do të prezantojmë para partnerëve tonë”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, për arrestimet e sotme tha se duhet të pritet epilogu.

“Komenti im është që për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe ligj zbatuese ne duhet ta presim epilogun dhe deri në këtë moment bazuar në informatat që kemi është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti. Institucionet e kanë punën e tyre”, tha Osmani.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share