BE-ja mirëpret zvogëlimin e policisë në veri të Kosovës

Stano: Hapa tjerë për shtensionimin e situatës

Bashkimi Evropian ka mirëpritur zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në objektet e katër komunave në veri të Kosovës.
Por, zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka kërkuar hapa të tjerë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

“Janë hapa shumë të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por duhen hapa tjerë. Si me çdo gjë në dialog, afatet kohore nuk janë në dorën tonë, ato varen nga aftësitë e palëve për të ofruar në kërkesat e nevojshme, kriteret apo zotimet. Për ta zgjidhur krizën aktuale, kemi thënë shumë herë, duhen të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat në veri, e atë sa më shpejt të jetë e mundur. Zgjedhjet të organizohen në mënyrë të plotë dhe gjithpërfshirëse, që nënkupton pjesëmarrjen e plotë dhe të pa kusht të serbëve të Kosovës”, tha Peter Stano.

Ai thotë se BE-ja dhe shtetet anëtare kanë bërë të qarta kërkesat për shtensionim, qysh në qershor.

“Gjithçka që bëhet në kuadër të dialogut nuk është për të kënaqur Brukselin apo shtetet anëtare të BE-së apo bashkësinë ndërkombëtare, por për të përmirësuar jetën në Kosovë dhe Serbi, që lidhet me përparimin e mëtejshëm të dy palëve në rrugën drejt BE-së”, deklaroi zëdhënësi i BE-sē, Peter Stano.

E sheh të rëndësishme kthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve që të fokusohen te marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i zbatimit.

Raporti. Blerta Dalloshi Berisha

Lexo gjithashtu
Total
0
Share