Ish-agjent i FBI-së, Charles McGonigal ka pranuar akuzat se kishte punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska, në shkelje të sanksioneve amerikane. Lidhur me këtë ngjarje ka folur ditën e sotme në një deklaratë për shtyp edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se McGonigal ka kryer krime të mëdha në Shqipëri. Ndër të tjera ish-kryeministri akuzon si bashkëpunues të tij edhe kryeministrin e vendit Edi Rama, Dorian Duçkën, Agron Nezën dhe ish-ministrin Damian Gjiknuri.
Berisha tha se ish-agjenti i FBI-së ka bashkëpunuar me Ramën për shkatërrimin e opozitës shqiptare dhe për një “puç antikushtetues” ndaj opozitës dhe presidentit të Republikës si kundërshtar i Edi Ramës.
“Dy ditë më parë, Charles McGonigal pranoi fajësinë e tij se ka shkelur betimin, është korruptuar dhe ka tradhtuar FBI-në, pasi duke shfrytëzuar detyrën e besuar, mbikëqyrjen e oligarkut rus nën sanksione, Oleg Deripaska, të lidhur direkt me Putinin, ai ka bërë të kundërtën. Ai në një akt të shëmtuar, është korruptuar me para nga Deripaska, është angazhuar kundrejt shumave të majme për heqjen e sanksioneve të Deripaskës, dhe për hetimin për vendosjen e sanksioneve ndaj rivalit të tij, një biznesmeni rus.
Në dosjen e Nju Jorkut, McGonigal ka pranuar fajësinë edhe për akuzën për larje parash dhe gjykatësi i Nju Jorkut ka shpallur se në dhjetor të këtij viti do të njoftojë vendimin që për këto dy akuza shkon nga 5 deri në 20 vite. Mediat lajmërojnë se avokati i McGonigal po punon me prokurorin e Uashingtonit për pranimin e fajësisë edhe për dosjen shqiptare. Veprimtarinë e tij korruptive kriminale, përveç Nju Jorkut, McGonigal e ka zhvillur në Shqipëri në bashkëpunim me Edi Ramën, këshilltarin e tij privat, Dorian Duçka, Agron Nezën, ish-ministrin Damian Gjiknuri dhe persona të tjera.
Veprimtaria kriminale antiligjore e McGonigal, Duçkës, Nezë dhe të tjerëve, në Shqipëri është pesëvjeçare dhe është e zhvilluar në këto drejtime.
-Drejtimi i parë në skemën e Deripaskës por me pasoja tragjike për një komb anëtar të NATO-s. Angazhimi i tij në bashkëpunim të ngushtë me Edi Ramën për shkatërrimin e opozitës shqiptare, për një puç antikushtetues ndaj opozitës dhe presidentit të Republikës si kundërshtar i Edi Ramës.
-Vendosja e gjobave shumëmilioneshe ndaj bizneseve që ishin nën sanksione duke i mashtruar se mund t’i hiqnin nga lista përkundrejt pagesave.
-Ndërhyrje korruptive për heqje licence nafte dhe dhënien te një kompani ruse, të kontrolluar mesa duket nga Deripaska,” shprehet Berisha.
Berisha theksoi se McGonigal ka përgatitur dosjen për shpalljen non-grata të tij.
“Shqipëria do skuqet nga turpi vetëm pak ditë më vonë, kur McGonigal të shpallë veten fajtor për krimet që ka kryer në Shqipëri. Nuk mund të ketë drejtësi në botë, përveç asaj që funksionon në kontrollin e plotë të qeverisë, që nuk hap hetimin dhe nuk vendos ndjekjen penale ndaj McGonigal dhe Edi Ramës, Dorian Duçkës, Agron Nezës, që rekrutuan me korrupsion McGonigal, për hetime private, që i dërguan të dhëna dhe dëshmitarë me këshilltarin privat, Dorian Duçka në zyrën e tij në Nju Jork, dhe që e paguan me ish-oficerin e sigurimit të Shtetit, Agron Neza për hetimin e lobistit të PD, Nick Muzin. Dhe siç del nga burime të besueshme, për përgatitjen me manipulim dhe falsifikim, të dosjes për shpalljen non-grata të Sali Berishës. Një heshtje e tillë armiqësore ndaj ligjit, Kushtetutës, opozitës së vendit dhe rendit demokratik, mund ta mbajnë vetëm prokuror dhe hetues, militantë fanatikë të Edi Ramës,” tha ndër të tjera Berisha.
Kujtojmë se ish-agjenti McGonigal, i cili jeton në Nju Jork, është akuzuar veçmas në një gjykatë federale në Uashington për fshehjen e të paktën 225,000 dollarëve, që dyshohet se ka marrë nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar ndërsa punonte për FBI-në.
Në janar, prokurorët e akuzuan ish-agjentin special Charles McGonigal, i cili drejtonte divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork përpara se të dilte në pension në vitin 2018, se ishte paguar fshehurazi nga oligarku rus Deripaska në këmbim të hetimit të një biznesmeni rival. Ai akuzohet se punoi për të hequr sanksionet kundër oligarkut Deripaska në vitin 2019, qëllim që nuk u arrit./tvklan.al