Dorëhiqet Mançini, nis gara për pasardhësin e tij për të marrë drejtimin e Italisë

Federata italiane e Futbollit njofton se ka marrë aktin e dorëheqjes të Roberto Mançinit nga detyra e trajnerit të kombëtares azurre, të cilët e ka paraqitur në mbrëmjen e së shtunës.

Mbyllet kështu një faqe e rëndësishme e historisë së të kaltërve me Mançinin, që ka nisur në maj 2018 dhe është mbyllur me finalet e Ligës së Kombeve 2023, atje ku Italia zuri për herë të dytë vendin e tretë pasi fitoi me Holandën, 3-2.

Dorëheqja e papritur e Roberto Mançinit ka hapur skenarë të rëndësishëm për të ardhmen e disa trajnerëve italianë të cilët aktualisht janë të papunë.

Federata Italiane, që kishte nisur një cikël të ri me trajnerin vetëm pak javë më parë duke i besuar plotësisht drejtimin teknik edhe të kombëtareve të moshave, tani duhet të nisë gjithçka nga e para dhe sidomos i duhet shpejt një trajner që njeh mirë talentin e të kaltërve.

Në garë janë shumë emra të njohur, me atë të Antonio Kontes që është për shumëkënd në majë të listës pasi edhe më parë është përfolur për një kthim të tij në bankinën e Italisë.

Por pa skuadër është një tjetër emër shumë i madh, Luçiano Spaleti, i freskët nga fitorja e titullit kampion me Napolin, për më tepër me një lojë shumë bindëse.

Nëse Federata do të hedhë sytë nga më të rinjtë, atëherë emra të mundshëm për t’u ulur në këtë bankinë janë ish-kampionët e Botës në vitin 2006 si Daniele De Rosi, Fabio Kanavaro apo Filipo Inzagi, edhe pse asnjëri prej tyre nuk vjen me një CV të shkëlqyer në trajning.

Të tjerë që kanë filluar të qarkullojnë në mediat italiane janë Gatuzo, Montela, Zola apo Stamaçioni.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share