Një aksident i rëndë ka ndodhur në afërsi të fshatit Jorgucat, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë. Dy automjete, një veturë dhe një furgon, janë përplasur me njëra-tjetrën. Nga përplasja, një prej makinave doli nga rruga dhe përplasi për vdekje një bari të zonës. Viktima është Vasil Gega, 60 vjeç.
“Në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, automjeti tip “Renault” me drejtues shtetasin D. S., është përplasur me automjetin tip “Nissan” me drejtues shtetasin T. G.. Si pasojë e përplasjes automjetet kanë dalë nga rruga. Në momentin që automjeti tip “Nisan’, ka dalë nga rruga ka goditur shtetasin V. G., 60 vjeç i cili ka humbur jetën. Shtetasi V.G ndodhej në anë të rrugës (bari me bagëti të imta). Gjithashtu u transportuan për të marrë ndihmë mjekësore dy pasagjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit”, tha policia e Gjirokastrës në një njoftim për mediat./tvklan.al