Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura propozon lirimin edhe për 10 të tjerë
Zbulimi i bimëve narkotike në brendësi të repartit ushtarak të Zall Herrit, ka bërë që 4 punonjës të lirohen nga detyra. Ata janë specialisti për sigurinë në seksionin e zbulimit, specialisti për infrastrukturën, zv. Komandanti i togës në kompaninë e mbështetjes, si dhe magazinieri, njëkohësisht edhe shofer në Kompaninë e Mbështetjes.
Gjatë një mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, u propozua edhe lirimi nga detyra i 10 të tjerëve. 6 prej tyre janë të Forcave Tokësore dhe 4 të tjerët janë pjesë e Policisë Ushtarake. Në listën e propozuar janë komandanti i Repartit Ushtarak, Komandanti i Policisë Ushtarake, shefi i shtabit ushtarak, specialist dhe inspektorë, si dhe agjentë krimesh të policisë ushtarake.
Për 125 bimët kanabis sativa, policia arrestoi tre ushtarakët, Gramoz Mullai, Rustem Koçi, dhe Gentian Zhurda. Ata u lanë në arrest në burg nga gjykata. Për lëndën narkotike ata u shfajësuan se në repart janë 140 hektarë tokë dhe nuk e kishin të mundur kontrollin e të gjithë territorit. Për territorin e thyer malor, tre ushtarakët u shprehen se kishin njoftuar eprorët e tyre.
Për këtë rast u proceduan në gjendje të lirë edhe 4 ushtarakë të tjerë. Ata akuzohen gjithashtu për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se janë përgjegjës për mbjelljen e kanabisit në repart, apo nuk kanë kontrolluar zonën.
Bimët e kanabisit, dyshohet se ishin mbjellë prej 3 muajsh në batalionin e mbështetjes së luftimit ndërsa lartësia e tyre kishte arritur në 2.7 metra dhe ishin në fazën përfundimtare të korrjes. Lënda u zbulua në një zonë të pyllëzuar e ndarë në 6 parcela të vogla.
Klan News