Shkatërrohen disa shtëpi, bllokohet transporti publik. Moti i keq edhe në Italinë qëndrore
Moti i keq dhe rrëshqitjet e dherave kanë përfshirë Norvegjinë. Shërbimet e emergjencave evakuuan qindra njerëz për shkak të rrezikut që u kanoset shumë shtëpive.
Erërat e forta dhe shiu goditën pjesë të rajonit nordik, duke rrëzuar linjat e energjisë elektrike, duke përmbytur fshatrat dhe duke bllokuar transportin publik në zonat më të prekura. Meteorologët suedezë dhe norvegjezë lëshuan alarmin e kuq, që është niveli më i lartë i paralajmërimit.
Stuhia, e cila është quajtur “Hans”, goditi si fillim Suedinë dhe arriti më pas në Norvegji. Një tren që transportonte më shumë se 100 pasagjerë doli nga shinat në Suedinë lindore, pasi shiu dëmtoi argjinaturën hekurudhore, duke plagosur tre persona.
Në Norvegjinë jugore, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut bllokuan rrugët dhe ndaluan shërbimet kryesore të trenave. Në qytetin e Valdres disa shtëpi u shkatërruan por nuk raportohet për lëndime. Në Danimarkën fqinje meterologët lëshuan alarmin e verdhë, ndërsa edhe Finlanda pritet të goditet nga stuhi të fuqishme.
Moti i keq ka përfshirë sërish Italinë qëndrore. Stuhi breshëri, dhe tornado kanë përfshirë Marche dhe Abruzzo. Një dëshmitar okular kapi momentin kur tornadoja goditi brigjet në Francavilla al Mare në rajonin Abruzzo.
Ndërkaq vala e të nxehtit ekstrem vijon në Spanjë dhe Portugali. Turistët u rreshtuan jashtë muzeut Prado të Madridit ndërsa temperaturat kaluan 40 gradë Celsius.
Agjencia kombëtare e motit në Spanjë tha se në përgjithësi temperatura do të jetë 5 deri në 6 gradë Celsius më e lartë se ajo normale. Kjo është vala e tretë e të nxehtit që përfshin Spanjën.
Klan News