Ish-presidenti Donald Trump u deklarua i pafajshëm në një gjykatë të premten për akuzat e reja që prokurori special Jack Smith ngriti kundër tij javën e kaluar në çështjen e dokumenteve të klasifikuara.
Trump i tha gjykatës se ai nuk do të jetë fizikisht në gjykimin e tij që do të mbahet të enjten për aktakuzën e re për sa i përket dokumenteve konfidenciale.
Ndërsa, ish-punonjësit e Trumpit, tash të pandehurit Carlos De Oliveira dhe Walt Nauta, nuk kanë treguar në dosjet gjyqësore planet e tyre për aktakuzën.
Kjo është hera e dytë që Trump brenda 24 orëve deklarohet i pafajshëm përpara gjykatës, ku dje, ish-presidenti e bëri të njëjtën gjë në gjykatë për aktakuzën e cila i është ngritur për zgjedhjet e vitit 2020, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Në aktakuzën e përditësuar të dokumenteve të klasifikuara, prokurorët pretendojnë se dy punonjësit e Trump, De Oliveira dhe Nauta, u përpoqën të fshinin pamjet e kamerave të sigurisë në resortin e ish-presidentit pasi Departamenti i Drejtësisë lëshoi thirrje për të.
Sipas aktakuzes, De Oliveira i tha drejtorit të IT në resort “se ‘shefi’ donte që serveri të fshihej”.
Trump, i cili tashmë është përballur me 37 akuza penale, u akuzua për një akuzë shtesë për mbajtje të qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe dy akuza shtesë për pengim.