MAFIA KA MBËSHTETJE NGA NJERËZ TË FUQISHËM TË APARATIT SHTETËROR
Presidenti i vendit Stevo Pendarovski me kritika në sistemin gjyqësor. Sipas tij, mafia ka mbështetje nga njerëz të fuqishëm të aparatit shtetëror.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në një intervistë për “Fokus” duke folur për gjyqësorin thotë se problemet në drejtësi kanë 3 dekada, pasi, sipas tij, gjyqësori asnjëherë nuk është bërë i pavarur nga qendrat e pushtetit politik dhe mbi të gjitha ekonomik.
“Nuk e kam menduar kurrë se zgjidhjet e shpejta janë të mundshme, në një afat të shkurtër, në sferën e drejtësisë, para së gjithash sepse ne, në 30 vitet e fundit, çdo grup politik, dikush më shumë, dikush më pak, në thelb vendosëm politikën e mosndëshkueshmërisë. Nuk ka asnjë zyrtar të lartë që ka përfunduar në burg derisa janë njerzit e tij në pushtet, nuk ka gjyqtar dhe prokuror që ka përfunduar në burg në kohën kur ai perceptohet si gjyqtar nga fletoret “tona” – thotë ai.
Duke komentuar pushtetin aktual thotë se për momentin nuk ka marrë asnjë informacion se ndonjë politikan ka diktuar aktgjykim përmes telefonit, siç kemi pasur raste në të kaluarën. I pari i shtetit thotë se në qeverinë e tanishme, më tepër ndikim në gjyqësor kanë oligarkët.
“Po të mos ishin “bombat” e Zaevit, nuk do ta dinim që kjo ka ndodhur masivisht në atë periudhë. Vlerësimi im është se gjatë kësaj qeverie, në lidhje me rastet e profilit të lartë, ndikimi i qendrave të pushtetit ekonomik është shumë më i madh se ai i pushtetit politik. Oligarkët në Maqedoni janë më me ndikim dhe më lehtë ndikojnë në gjyqësor se sa politikanët”, thotë kreu i shtetit.
Në kuadër të situatës së keqe në gjyqësor, problemin e mungesës së zbardhjes së rasteve e lokalizon në një numër të madh likuidimesh mafioze. Sipas tij, e keqja është se në këto raste shihet se mafia ka mbështetje nga njerëz të fuqishëm të aparatit shtetëror. Nëse nuk e ndjek penalisht një vrasje të kryer para dëshmitarëve, do të thotë që dikush mjaft i fuqishëm ka thënë – mos e ndjek penalisht”, shton Pendarovski në intervistën për Fokus./KlanMacedonia