Ministria e Punëve të Jashtme rrit kapacitetet e përfaqësive konsullore në Bern, Bon, Berlin dhe Mynih

Për shkak të rritjes së fluksit të kërkesave për lëshimin e dokumenteve që mbërrijnë në Përfaqësitë Diplomatike Konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se do të prezantojë punën me dy ndërrime në disa qytete evropiane.

“Në këtë grup të parë, sipas numrit të aplikimeve, fillojmë me punën me dy ndërrime në Bern, Bon, Berlin dhe Mynih. Ashtu siç do të paraqiten nevojat, do të veprojmë në rritjen e kapaciteteve edhe në PDK-të e tjera”, theksoi Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media.

Kjo është hera e parë që konsullatat tona punojnë në dy ndërrime, për t’iu përgjigjur qytetarëve për shkak të detyrimit për ndryshimin e dokumenteve personale deri në shkurt të vitit 2024, theksoi Osmani.

“Ju e dini që më nuk kemi stacione mobile, por për shkak të detyrimit për ndryshimin e dokumenteve, filluan të krijohen turma të mëdha, gjë që nuk ishte në rregull për qytetarët të cilët kanë nevojë për dokumentet e tyre. Prandaj kemi vendosur që kapacitetet t’i rrisim fizikisht duke dërguar nëpunës shtesë nga MPJ në Përfaqësitë Diplomatiko Konsullore”, tha Osmani.

Siç njoftoi ministri, shqyrtohet mundësia e punës me dy ndërrime në ambasadën në Londër.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share