“Nuk ka mbrojtje magjike kundër zjarreve”, Mitostakis: Na pret një verë e vështirë

Qindra zjarrfikës janë në luftë me zjarret në ishullin e Rodosit

“Nuk ka mbrojtje magjike kundër zjarreve. Nëse do të kishte do ta kishim zbatuar”.

Me këto fjalë i është drejtuar kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ministrave të tij në mbledhjen e qeverisë për situatën e zjarreve në vend. Ai theksoi se prioritet është që asnjë person të mos mbetet i lënduar ndërsa u shpreh se vendin e presin ditë të vështira.

“Siç thashë në Parlament, tani mund të kemi më shumë mjete, më shumë fuqi punëtore dhe përgatitje më të mirë, por e dimë se beteja është e vështirë. Gjërat do të përkeqësohen për shkak të temperaturave më të larta dhe thatësirës”.

Mitsotakis pati një falenderim për të gjithë “armatën” e punonjësve në terren që kanë bërë të mundur operacionet e shpëtimit të qytetarëve veçanërisht ata në ishullin e Rodosit. Qindra zjarrfikës, të ndihmuar nga forcat nga Turqia dhe Sllovakia, po luftojnë aktualisht për të shuar flakët pranë fshatrave Gennadi dhe Vati në juglindje të ishullit.

Rreth 20,000 njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë dhe hotelet gjatë fundjavës pasi zjarri që filloi një javë më parë u përhap dhe arriti në vendpushimet bregdetare. Zjarre ka pasur edhe në ishujt e Korfuzit dhe Evia.

Autoritetet greke kanë paralajmëruar për rrezik ekstrem të zjarreve edhe në ishullin e Kretës. Greqia ka përjetuar temperatura shumë të larta në javët e fundit dhe ato pritet të tejkalojnë 44 Celsius në disa zona gjatë ditës së mërkurë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share