Stafi i kopshtit zoologjik të Ohajos u surprizua nga lindja e një këlyshi gorille nga një individ që për 4 vite besohej se ishte mashkull.
Kopshti zoologjik Columbus tha se Sully e cila jeton aty që prej vitit 2019, u gjet të enjten me këlyshin e saj. Punonjësit u shprehën se i vogli “duket i shëndetshëm” dhe Sully është një nënë e shkëlqyer.
Ata shtuan se kjo e fundit gjithmonë kishte qenë mirë me shëndet dhe nuk kishte patur nevojë për ekzaminim. Lindja ishte “e papritur, por emocionuese për ekipin dhe i rëndësishëm për ruajtjen e një specieje shumë të rrezikuar nga zhdukja”, shkruhej në një postim.
Stafi nuk kishte dyshuar derisa panë ‘mashkullin’ të kujdesej për këlyshin. “Është e vështirë të dallosh seksin e gorillave të vogla”, thanë ata.
Në moshën 8-vjeçare Sully ishte mjaftueshëm e rritur për t’u riprodhuar, por ende e vogël për të shfaqur shenja të dallueshme të seksit, shton kopshti zoologjik.
“Deri në 8 vjeç, femrat dhe meshkujt kanë thuajse të njëjtën madhësi dhe nuk kanë organe të dukshme seksuale. Meshkujt nuk kanë qime argjendi në pjesën e pasme deri në moshën 12-vjeçare ose më vonë”.
Gorillat nuk shfaqin shenja shtatzënie për shkak të barkut të madh ndërsa këlyshët janë më të vegjël se foshnjet.
Ndërkohë stafi ka konfirmuar se këlyshi është i seksit femër ndërsa do të kryhen teste ADN-je për të përcaktuar atësinë./tvklan.al