“Tre opsione për zgjedhjet” – Mickoski: Është koha që BDI të shkojë në opozitë

20 vite në qeveri është periudhë shumë e gjatë. Kështu mendon kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski, duke folur për BDI-në e Ahmetit, për të cilën, Mickoski tha se duhet të kalojë në opozitë, përcjell KlanM.

Politikanët apo subjektet që do ta kundërshtojnë BDI-në, sipas Mickoskit, do të arrijnë rezultate të mira në zgjedhje.

“Të paktën analizat tona janë të tilla. Mendoj se ata pak në kryesinë e BDI-së pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare do të befasohen pakëndshëm nga rezultati dhe vlerësoj se numri i deputetëve të atij blloku të konsoliduar në mesin e shqiptarëve në Maqedoni, së bashku me bashkësitë tjera etnike, mund të përbëjnë një shumicë të Badenterit në Kuvend”, tha Mickoski.

Sa i përket zgjedhjeve, Mickoski tha se janë tre opsione. Dy të parat, siç përcjell KlanM, janë zgjedhjet presidenciale në mars, parlamentaret në qershor ose zgjedhje parlamentare dhe presidenciale bashkë. Opsioni i tretë, sipas Mickoskit, janë zgjedhjet e shpejta këtë vjeshtë.

“Opsioni i tretë është që të ketë zgjedhje këtë vjeshtë, ku ne si VMRO-DPMNE jemi dakord me ndryshimet në kodin zgjedhor që praktikisht të fshihet ajo pjesë e qeverisë teknike, në mënyrë që kjo qeveri t’i përgatisë ato zgjedhje dhe të shkojë në zgjedhje të shpejta parlamentare. Vlerësoj se ky opsion i tretë do të ishte më i miri për të ardhmen për qytetarët dhe të ardhmen e Maqedonisë”, deklaroi Mickoski./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share